Një botë e tërë jeton brenda dy ballinave. Libra mund të gjeni sa të doni, mjafton që të keni dëshirë për lexim.

Autorë që shpalosin rrëfimet e tyre dhe e thonë me fjalë atë që mezi imagjinohet, tashmë vijnë edhe në gjuhën shqipe.

Aventurat i përjetoni edhe jashtë librit, por vështirë se ka aventurë më të këndshme sesa të keni në duar një libër që tashmë është bestseller në botë.

Klan Kosova ju sjell disa nga veprat letrare që kanë arritur kulmin e lexueshmërisë e janë përkthyer në disa gjuhë të botës, të cilat mund t’i gjeni edhe në shqip.

Svetlana Alexievich – “Zëra nga Çernobili”

Ismail Kadare – “Kukulla”

Libri i fundit i autorit Ismail Kadare është “Kukulla”. Kushtuar tërësisht nënës së tij, ky libër i Kadaresë është përkthyer edhe në frëngjisht. Ai flet për marrëdhënien e tij të brishtë me nënën, me të cilën s’është kuptuar asnjëherë plotësisht.

Titulli “Kukulla”  simbolizon figurës e së ëmën së tij, figurën e së cilës e përshkruan si fjalëpake dhe pothuaj të padukshme.

R.J Palacio – “Mrekullia”

Një novelë për fëmijë që përshkruan jetën e një djaloshi i cili ka lindur me deformitete në fytyrë. Ai nuk shkon në shkollë deri në një moshë të caktuar, por gjithçka ndryshon kur prindërit e dërgojnë në një shkollë private.

Frymëzimi për ta shkruar librin vjen nga një histori personale e autores me të birin. Novela ka marrë pëlqimin e lexuesve nga e mbarë bota dhe vlerësimi ka qenë pothuajse maksimal.

Jonathan Franzen – “Korrigjimet”

Amerikani Franzen shkruan për një familje pothuajse tradicionale amerikane – për Lambertët.

Në librin “Korrigjimet”, botuar në vitin 2001, fëmijët e familjes Lambert largohen nga shtëpia dhe secili vazhdon jetën e re në lindje të vendit.

Shkrimtari është cilësuar si njëri ndër autorët më të mirë amerikanë që e përshkruan shumë bukur konstruktin shoqëror në Amerikë.

Harper Lee – “Shko vër një rojë”

Shumë e dashur dhe e famshme me librin e saj të parë “Të vrasësh zogun përqeshës”, Harper Lee vjen në shqip me librin e saj të botuar vitin e kaluar “Shko vër një rojë”.

Novela e dytë dhe e fundit e saj trajton një temë interesante me nuanca fiksioni, ku element është edhe racizmi.

 

Daniel Kahneman – “Të menduarit shpejt dhe të menduarit ngadalë”

Psikologu izraelito-amerikan, fitues i Çmimit Nobel në Ekonomi, sjell një vepër që u shndërrua në bestseller që nga viti 2001.

“Të menduarit shpejt dhe të menduarit ngadalë” është një libër i shkruar pas disa dekadash hulumtimi nga autori.

Charles Duhigg – “Fuqia e shprehisë”

ibri më i ri nga reporteri i gazetës New York Times vjen në shqip dhe sjell eksplorimin e shkencës se si i krijojmë shprehitë dhe si manovrojmë me to si njerëz. Ai tregon nëse shprehitë mund t’i ndryshojmë dhe çka ndodh me individin kur ai arrin t’i ndryshojë ato.

JoJo Moyes – “Vajza që le pas”

Një histori dashurie. Në ngjarjen që zhvillohet në Francë në vitin 1916, artisti Edouard Lefevre lë prapa gruan e tij të re Sophie për të luftuar në frontin kundër gjermanëve.

Kur qyteti i tyre pushtohet nga gjermanët, portreti që Edouard i ka bërë asaj i bie në sy Komandantit i cili e do pikturën me çdo kusht. Më pas zbulohet se vlera e pikturës është shumë e madhe dhe aty fillon beteja.

Khalil Gibran – “Profeti”

Poeti libanez Khalil Gibran tashmë është përkthyer në 40 gjuhë e padyshim vepra e tij më e njohur është “Profeti”.

Libri është i konstruktuar në 26 proza poetike që flasin për çështjet kryesore të jetës së njeriut: Punën, Dashurinë, Martesën, Veshjen, Tregtinë, Kohën, Harenë, Dhimbjen, e të tjera.

Cheryl Strayed – “Shpirti i Egër”

Përshkruan krejt rrugëtimin e saj deri te shërimi. Libri autobiografik i amerikanes Cheryl Strayed vjen në shqip me tregimin për udhëtimin e gjatë 1500 kilometërsh nëpër rrugët e Amerikës për të gjetur paqe me veten dhe për ta harruar dhimbjen. Libri tashmë është bërë edhe film, kurse aktorja që luan rolin kryesor, Reese Witherspoon, në vitin 2015 ishte nominuar për çmimin Oscar për rolin kryesor.

 

====================

 

Librat që muajve të fundit më së shumti janë shitur në librarinë “Buzuku” në Prishtinë janë “Zëra nga Çernobili” (Svetlana Alexievich), “Faji në yjet tanë” (John Green), dhe “Profeti” (Kahlil Gibran).

“Fituesi i çmimit Nobel në Letërsi gjithmonë bëhet më i kërkuari, është sikurse çmimi Oscar për film, të gjithë duan ta shohin filmin fitues. ‘Buzuku’ e ka botuar librin dhe ka shitur rreth 1500 kopje të ‘Zëra nga Çernobili’”.

“Kurse moshat më të reja e kanë kërkuar shumë ‘Faji në yjet tanë”, libër të cilit i dha famë edhe filmi. Por, edhe ‘Profeti’ hyn në mesin e veprave më të kërkuara gjatë muajve të fundit”, thotë Edon Zeneli nga kjo librari.

Panairi i 18-të i Librit që do të mbahet në Prishtinë nga 7 deri më 12 qershor, do të sjellë tituj të rinj të përkthyer në gjuhën shqipe. Kësaj radhe në panair do të marrin pjesë rreth 100 shtëpi botuese, ndërsa pritet ta vizitojnë rreth 40,000 vizitorë.

By kristal