Klubet shqiptare kanë histori mjaft të hidhura me gjyqet në FIFA apo gjykatat sportive ndërkombëtare ndër vite dhe për këtë mjafton të kujtojmë rastet e fundit kur Tirana, Partizani, Skënderbeu apo edhe të tjerë janë penalizuar financiarisht apo edhe me bllokimin e merkatos.
Mosnjohja e mirë e rregulloreve të qeverive europiane e botërore të futbollit, kryesisht në lidhje me rregullat e transferimit, ka shkaktuar edhe humbjen e gjyqeve të shumta të klubeve shqiptare, që janë detyruar të paguajnë fatura “të kripura”.
Por duket se këtë “mallkim” e ka thyer klubi i Laçit, që pak ditë më parë ka fituar një gjyq ndaj klubit azer FK Gabala.
Klubi kurbinas ka bërë një padi në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve të FIFA-s për një parregullsi në lidhje me transferimin e sulmuesit Segun James Adeniyi.
Pasi mori në shqyrtim çështjen, organi juridik i qeverisë së futbollit botëror vendosi t’i japë të drejtë klubit shqiptar dhe t’i kërkojë FK Gabalas shlyerjen e detyrimeve brenda 45 ditëve.
Bëhet fjalë një shifër modeste (rreth 2300 euro), por gjithsesi precedenti pozitiv është një lajm mjaft i mirë.
Kjo konfirmon faktin se kur klubet punojnë mirë dhe janë korrektë në përpilimin e më pas zbatimin e kontratave me lojtarë apo klube të huaja, nuk rrezikojnë të përballen me penalitete, që në vitet e fundit kanë qenë të shumta në fakt.
Rasti i Laçit duhet marrë shembull nga të gjitha klubet shqiptare për mënyrën e administrimit.
Ja përmbajtja e vendimit:
Vendimin i Nënkomisionit të Dhomës së Zgjidhjes së Konflikteve të FIFA-s për çështjen Ref. Nr. TMS 6438, që i përket KF Laçi kundër FK Gabala në lidhje me transferimin e lojtarit Segun James Adeniyi.
Nëpërmjet këtij vendimi është vendosur:
Pranimin e padisë së Paditësit KF Laçi.
Detyrimin e të Paditurit FK Gabala, t’i paguajë Paditësit:
– 2,005 Euro kontribute solidariteti plus 5% interesa në vit deri në datën e kryerjes së pagesës si më poshtë:
– për shumën 1,002.5 Euro që nga 31 gusht 2018;
– për shumën 501.25 Euro që nga 3 mars 2019;
– për shumën 501.25 Euro që nga 31 gusht 2019.
Paditësi duhet t’i njoftojë menjëherë të Paditurit numrin e llogarisë bankare, në të cilën i Padituri duhet të kryejë pagesën.
I Padituri duhet të vërtetojë kryerjen e pagesës në postën elektronike në adresën psdfifa@fifa.org.
Në rast se shuma objekt detyrimi, (përfshirë të gjithë interesin e zbatueshëm) nuk paguhet nga i Padituri brenda 45 ditëve, nga njoftimi i numrit të llogarisë bankare nga ana e Paditësit, do të lindin pasojat e mëposhtme:
Të Paditurit do t’i ndalohet regjistrimi i lojtarëve të rinj si në nivel kombëtar ashtu dhe në nivel ndërkombëtar për 3 sezone transferimi të njëpasnjëshme.
Ndalimi do të hiqet menjëherë, pas konfirmimit që shuma e duhur (përfshirë të gjithë interesin e zbatueshëm) është marrë nga Paditësi.
Në rast të mos pagimit në kohë, çështja do t’i përcillet Komisionit të Disiplinës në FIFA për vendimmarrje.
Palët nuk kanë kosto procedurale.