Arrestohet 40-vjeçari që plagosi të miturin me motoskaf në plazh

Vlorë- Arrestohet drejtuesi i motoskafit që plagosi një 7-vjeçar në plazh.

Ditën e djeshme, një mjet lundrues, gomone, ka përlasur një të mitur që po notonte në afërsi të bregut në plazhin e Jonufrës.

Policia e Vlorës thotë se ka arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, A. K., 40 vjeç, banues në Tiranë.

A. K. nuk ka respektuar kufizimin me bova detare dhe është futur në zonën në të cilën nuk lejohet lëvizja e mjeteve lundruese, ku si pasojë ka dëmtuar një 7-vjeçar që ishte duke notuar, i cili aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.