Basha: Hapim një fakultet të ri mjekësie, rritje pagash për mjekët dhe infermierët

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka zhvilluar sot një takim me disa mjekë, ku u ka prezantuar këtyre të fundit programin e Partisë Demokratike.

Kryedemokrati theksoi se situata në spitale është në kolaps dhe për këtë bën përgjegjës  mendësinë e gabuar.

“Hapi i parë, “Paraja ndjek pacientin” përmes kartës së pacientit. Hapi i dytë ka të bëjë me reformën e të gjithë hallkave që do ta japin këtë shërbim. Situata në spitale është në kolaps total. Shkak për këtë mendësia e gabuar që ka çuar drejt centralizimit total. Sa më shumë është centralizuar menaxhimi, aq më pak ka shkuar paraja tek pacienti. Paraja ka shkuar në koncesionet e famshme të shëndetësisë. Paraja ka shkuar te tenderat sekretë gjatë kohës së pandemisë”, tha Basha, dhe premtoi një fakultet të ri mjekësie.

“Hapi i dytë për të ndalur këtë rrallim dramatik të mjekёve dhe infermierёve që kujdesen për njerëzit është hapja e një fakulteti tjetër mjekësie, shtimi i kapaciteteve pra për të trajnuar mjekё tё rinj i cili në gjykimin tonё do të shërbejë përmes hapjes të një fakulteti të ri të mjekësisë që është një objektiv i yni për të cilin do të punojmë që në fillim të mandatit të qeverisë së dalё nga votat e 25 Prillit”, – u shpreh Basha, ndërsa ritheksoi edhe njëherë paga 1200 euro për mjekët dhe 700 euro për infermierët.

Ai tha se objektivi nuk është arbitrar është plotësisht i arritshëm është i buxhetuar dhe është i indeksuar me përvojat e rajonit madje me vendet fqinje që na rrethojnë.