Rivaliteti historik ishte edhe më i ndezur mbrëmjen e djeshme, duke parë se dueli i “Allianz Stadiumit” kishte edhe peshën e kualifikimit për në finalen e Kupës së Italisë.

Dhe ishte normale që shkëndijat të mos mungonin, por nuk pritej që ajo më e forta të ndodhte jashtë terrenit të lojës.

Madje, duke parë se tribunat janë të boshatisura është fare e lehtë që të gjithë të dëgjojnë se çfarë ndodh edhe jashtë terrenit.

Ai që ndezi situatën ishte Antonio Conte. Trajneri i Interit ishte i tërbuar, duke protestuar me agresivitet ndaj arbitrit, për një kontakt Bernardeski-Lautaro, që nuk ekzistonte absolutisht në zonën bardhezi, siç konfirmoi edhe VAR-i, por edhe pamjet e qarta televizive.

Madje, nëse penalltia nuk ekzistonte, ishte sulmuesi i Interit që meritonte të verdhën për simulim.

Por ndërsa Conte këmbëngulte duke ulëritur për penallti, ishte Leonoardo Bonucci nga tribuna bardhezi që i ulëriti kundër ish-trajnerit të tij: “Ej, duhet të respektosh arbitrin”, i cili vazhdoi duke mërmëritur disa fraza kundër Contes pasi u ul sërish në stol.

Për Conten, jo vetëm ish-futbollistët si Bonucci, por edhe ish-tifozët e tij i bënë një pritje të nxehtë.

Përpara ndeshjes, një grup i vogël ultrasish bardhezinj i dolën përpara autobusit të Interit ku morën në shënjestër “tradhtarin”.

By kristal