Corriere Della Sera: Rama kontrabandë vaksinash me Luigi Di Maion, kryeministri shqiptar: E bëmë me shërbimet sekrete! Avokatët e Pfizer kërcënonin se…

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar gjatë një fjalimi të mbajtur në universitetin e Bergamos, se ai ka marrë vaksina fshehurazi nga Italia gjatë periudhës së pandemisë. Kjo, sipas kreut të qeverisë shqiptare ndodhi sepse kompania Pfizer u ndalonte të gjitha shteteve të cilat i furnizonte, të shpërndanin vaksinat tek vendet e tjera.

Rama shprehet se ka bërë kontrabandë vaksinash sëbashku me Luigi Di Maion, i cili ishte në rolin e Ministrit të Jashtëm gjatë periudhës së pandemisë.

Corriere Della Sera ka publikuar deklaratën e kreut të qeverisë shqiptare, ku ndër të tjera ai u shpreh: ‘Njerëzit kishin frikë dhe ne mbetëm si peshku pa ujë, pasi nuk po siguronim vaksina anti-Covid. E pyeta Luigin: a mund të na japësh doza të paktën për mjekë dhe infermierë? Pfizer kishte një kontratë shumë kapitaliste me qeveritë: Unë ju jap vaksinat, por ju nuk mund t’ia jepni askujt. Luigi tha: Do të ishte një gjë shumë serioze! Por ne e bëmë këtë me shërbimet sekrete: dy ministra që i kalonin mallrat kontrabandë njëri-tjetrit për të shpëtuar njerëzit. Më pas nuk mund t’i fshihnim vaksinat, duhej t’i administronim edhe ato. Avokatët e Pfizer kërcënonin me padi dhe donin të dinin se si i morëm ato, por ne thjesht thoshim: nga një vend mik.”.

Tashmë Rama ka sqaruar deklaratat e tij gjatë pandemisë kur shprehej se është furnizuar nga një vend mik me vaksinat kundër koronavirusit.

Nuk dihet nëse kjo përbën një shkelje ligjore dhe nëse aktualisht ka ndonjë proces të nisur ndaj kryeministrit shqiptar.

Shkrimi i plotë i Corriere Della Sera:

Një operacion kontrabande vaksinash i kryer nga dy ministra. Kjo është historia që kryeministri shqiptar Edi Rama bëri mëngjesin e sotëm në Bergamo gjatë fjalimit të tij në “Kultura do të shpëtojë botën”, organizuar nga ”Semi – Storie di Eccellenza, Merito e Innovazione”.

Rama i referohej ministrit të Jashtëm, Luigi Di Maio i cili ishte ulur në rreshtin e parë të Aula Magna të Universitetit të Bergamos, në atë që ishte një nga daljet e tij të para publike pas humbjes së tij në zgjedhje.

Dhe që nuk pranoi të komentonte, duke refuzuar t’u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve, por duke u kufizuar në një fjalim pesëminutësh gjatë të cilit ai kujtoi rëndësinë e “diplomacisë kulturore” dhe të kulturës për Italinë “një vend me 58 zona të UNESCO-s” dhe krijimin e drejtorive të instituteve të huaja, që koordinon institutet e kulturës, të cilat bëjnë një punë themelore edhe për eksportet italiane si dhe për përhapjen e gjuhës italiane.

Në fjalën e tij, Rama foli për situatën politike shqiptare dhe marrëdhënien e tij me Italinë që në ditët e diktaturës kur të rinj si ai shkuan në Vlorë jo për det, por për të ndjekur programet televizive italiane.

”Sot po them diçka që askush nuk e di. Unë jam shqiptaro-italian, Di Maio napolitano-shqiptar, që kemi bërë bashkë një operacion kontrabande. Çfarë italiani apo shqiptari jeni nëse jeni gjithmonë në përputhje me ligjin?”, tha Rama.

Ai iu kthye periudhës kur Covid-19 goditi fort Shqipërinë.

“Njerëzit kishin frikë se do të vdisnin si peshku pa ujë, por nuk kishim mundësi të bënim vaksinën. E pyeta Luigin se a mund të na japësh doza të paktën për mjekët dhe infermierët? Pffizer kishte një kontratë shumë të prerë me qeveritë: Unë iu jap vaksinat, por ju nuk mund t’ia jepni ato askujt. Diçka që është gjithçka tjetër veçse e krishterë. Luigi tha se do të ishte një gjë shumë serioze. Por, ne e bëmë këtë me shërbimet tona sekrete: dy ministra që i kalonin mallrat kontrabandë njëri-tjetrit për të shpëtuar njerëzit. Më pas nuk mund t’i fshihnim vaksinat, duhej t’i administronim edhe ato. Avokatët e Pffizer kërcënonin me padi dhe donin të dinin se si i morëm ato, por ne thjesht thoshim nga një vend mik. Thashë se kishim mësuar nga napolitanët se nuk duhet të heqësh dorë kurrë nga një mik para policisë”, tha Rama.

Ai e qetësoi më në fund Di Maion për çdo polemikë duke shtuar “Luigi, tani je njeri i lirë”.

Rama e quajti vendin e tij “një Itali më të ngatërruar” dhe tha se nuk mendon se do të ketë probleme me qeverinë e ardhshme italiane.

“Nuk kemi pasur kurrë probleme në të kaluarën me asnjë lloj qeverie, si me të majtën ashtu edhe me të djathtën sepse ne i përkasim së njëjtës histori: Berlusconi do të kishte qenë një socialist i mirë nëse nuk do të kishte qenë tashmë vendi i zënë në atë anë”, tha Rama.

Duke folur për zgjedhjet italiane, Rama ka bërë shaka me kryetarin e bashkisë së Bergamos, Giorgio Gori.

“Ai është një nga humbësit më të pabesueshëm në historinë e 30 viteve të fundit. Nuk e di se si keni arritur të humbni, por keni arritur të shkaktoni një humbje siç nuk do ta kishte asnjë kundërshtar”, tha Rama.

Rama u shpreh optimist për hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

“Jemi përpjekur shumë herë, por është si të organizojmë një dasmë dhe nusja nuk vjen. Shumë vite diktaturë na kanë bërë vendin më të largët nga Rusia (nuk kemi nevojë të aplikojmë sanksione, e kemi bërë që nga viti 1990) dhe më të afërmit me Evropën dhe SHBA. Ne jemi më pro amerikanë se teksanët. Për BE-në tani jemi më të qetë sepse tashmë ka pasur zgjedhje në vende si Franca dhe Holanda, pasi një ministër para dhe pas zgjedhjeve janë dy njerëz të ndryshëm, qëndrimi është i ndryshëm”, theksoi ai.

Bergamo po i afrohet momentit kur do të bëhet Kryeqyteti i Kulturës në vitin 2023.

“Është një burim krenarie dhe në këtë moment historik është një mundësi e shkëlqyer për të ndërtuar ura dhe për të zbuluar se në botë jemi më afër se sa mendojmë”, tha Di Maio.

Edi Rama theksoi se ftesa në Bergamo është nga të paktët që e ka pranuar.

“Unë kisha dërguar tashmë 30 infermierë atje gjatë pandemisë dhe sot solla personalisht një artist, që jam unë. Bergamo është një realitet spektakolar, ju duhet të ndiheni të lëvduar nga Zoti që ka vendosur të lindni në Bergamo”, përfundoi ai.