Vijojnë të shënohen shifra të larta të të infektuarve me koronavirus në vend, ku gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar pozitivë 78 persona. Nga rastet e reja të 24 orëve të fundit, Shkodra dhe Kruja kanë shënuar numrin më të lartë të rasteve të reja, ku në orët e fundit janë konfirmuar pozitivë 27 persona, përkatësish 14 në Shkodër dhe 13 në Krujë, ndërsa në Tiranë kanë rezultuar pozitivë 12 persona.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet të gjithë qytetarëve të respektojnë distancimin fizik dhe të vendosin maskën kur nuk mund të ruhet distanca, ndërsa bizneset të zbatojnë protokollet e miratuara të sigurisë.

 

Deklarata e Dr. Flutura Beqo nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale:

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju bën me dije situatën epidemiologjike në vend, ku vijon të ketë shtrime të reja në spital, vijon të ketë rritje të të prekurve nga Covid19, pothuajse në të gjithë Shqipërinë. Ndaj ftojmë çdo qytetar të tregojë kujdes me ruajtjen e higjienës personale, me mbajtjen e distancës fizike, vendosjen e maskës në ambiente publike.

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 344 testime për të dyshuar të prekur me Covid19 nga të cilat janë konfirmuar 78 raste pozitive. Një pjesë e mirë e rasteve ditore lidhen me kontakte të rasteve të mëparshme pozitive, ndërkohë që vazhdon hetimi për raste të reja. Numrin më të lartë të të prekurve ditorë e ka Shkodra me 14 raste, në Krujë janë identifikuar 13 të prekur, Tirana ka 12 raste, 9 janë identifikuar në Pukë, 6 në Delvinë, nga 4 raste në Gjirokastër, Vlorë, Kukës, nga 2 raste në Kamëz, Durrës, Fier, dhe nga 1 rast përkatësisht në Kurbin, Korçë, Kavajë, Lushnje, Mirditë, Pogradec.

Ndërkohë që në spitalin infektiv aktualisht po trajtohen 76 pacientë, 14 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 2 janë të intubuar. Lajmi i mirë është se në 24 orët e fundit janë shëruar 33 qytetarë, duke e çuar në 1250 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Në vendin tonë janë aktualisht 894 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet të gjithë qytetarëve të respektojnë masat e vendosura, ndërsa bizneset të zbatojnë protokollet e miratuara të sigurisë.

Qytetarë, mbani duart të pastra dhe mos e prekni fytyrën.
Lani duart sa më shpesh për të paktën 20 sekonda.
Ruani distancën fizike në ambientet publike.
Kudo kur kjo nuk është e mundur, vendosni maskë apo barrierë mbrojtëse.
Bizneset të sigurojnë vazhdimisht elementët e higjienës si sapun, letër për pastrimin e duarve, dezinfektantë.
Siguroni ajrosjen e mire, pastrimin dhe desinfektimin e ambjenteve të punës.
Përdorni maskat apo barrierat mbrojtëse gjatë kohës që u shërbeni qytetarëve.

Task forca anti-covid nuk do të tolerojë shkelje të rregullave të sigurisë duke e konsideruar rrezik për shëndetin e qytetarëve. Mininistria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet qytetarëve të shmangin vendet me grumbullime, pasi janë burim për përhapjen e infeksionit. Kontaktoni nëpërmjet linjës së gjelbër 0800 40 40 me mjekun e familjes për barnat me rimbursim, apo infromacion për Covid19. Nëse dyshoni se jeni të prekur duhet të qëndroni të izoluar dhe telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare, 127.

COVID-19 – Statistika (25 Qershor 2020)

Testime totale 24711
Raste pozitive 2192
Raste të shëruara 1250
Raste Aktive 894
Humbje jete 48 (Qarku Tiranë 27, Durrës 9, Fier 4, Vlorë 1, Shkodër 5, Kukës 1, Elbasan 1)
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 370
Durrës 176
Shkodër 153
Vlorë 79
Fier 41
Lezhë 26
Korçë 20
Kukës 12
Elbasan 9
Gjirokastër 6
Berat 2

 

By admin