Lezhë- Publikohet foto e Dorjan Keqit, autorit të dyshuar të vrasjes së ish-drejtorit të Tensionit të Lartë të Veriut, Saimir Jaku, ngjarje e ndodhur në vitin 2016 në Rrëshen.
Drejtoria e Policisë Vendore Lezhë doli sot në një konferencë për mediat ku dha detaje për këtë ngjarje, ndërsa tha se ekzekutimi i tij ishte paguar nga një bandë kriminale që vepron në Lezhë.
Përveç kësaj, policia deklaroi se në banesën e vrasësit me pagesë, u gjetën dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 21 aparate celulare dhe 6 mbajtëse të kartave SIM.
Në deklaratën për mediat mes të tjerash citohet se:
Strukturat e Hetimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Lezhë, si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore dhe profesionale, bënë të mundur dokumentimin me prova ligjore të ngjarjes së ndodhur më datë 9 shtator 2016, në Rrëshen, ku u vra me armë zjarri Saimir Jaku dhe u plagos shtetasi Gjergj Prenga.
Në këtë kuadër u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit Dorian Keqi, 40 vjeç, lindur në Kurbin dhe banues në Krujë.
Ky person në bashkëpunim me shtetas të tjerë, dyshohet se e ka kryer krimin e vrasjes së Saimir Jaku, kundrejt pagesës. Porositësit e vrasjes dyshohet të jenë një grup i strukturuar kriminal që vepron në qarkun Lezhë, tashmë të identifikuar dhe nën hetim nga ana e Policisë. ‘Për shkak të cilësisë së hetimit dhe të ruajtjes së sekretit hetimor, nuk mund të bëjmë publike të dhëna të tjera për këtë çështje, deklaroi drejtori i policisë së qarkut Lezhë, Vehbi Bushati.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit të ndaluar Dorian Keqi janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 21 aparate celulare dhe 6 mbajtëse të kartave SIM.
Vazhdojnë hetimet për dokumentimin e plotë e ligjor të kësaj ngjarjeje.
Nga ana tjetër, strukturat e DVP Lezhë, në koordinim me strukturat hetimore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin, po punojnë intensivisht për zbulimin e dokumentimin ligjor të ngjarjes së rëndë të ndodhur më datë 22 korrik 2022, në Milot.
Viktima Saimir jaku