Një super makinë me 850 kuaj fuqi. Kjo është aspirata e shqiptarit Qëndrim Thaqi, i cili kërkon të krijojë makinën e parë nën emrin Illyrian Pure Sport. Thaqi u bë i njohur pak vite më parë pasi zbuloi një projekt për Porsche. Ai është pronar i ndërmarrjes së makinave Arrera Automobil.
Sipas tij, super vetura shqiptare do të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare. Illyrian Pure Sport është i “armatosur” me fibra karboni, dhe dritat e përparme të orientuara vertikalisht janë gjithashtu të përshtatshme për një makinë sportive.
Siç shihet dhe nga fotot, ai është frymëzuar nga modelet italiane, veçanërisht Ferrari. Sipas kompanisë, makina do të ketë një motor V8 binjak turbo prej 6.2 litra. Përsa i përket performancës, makina sportive mund të arrijë deri në 100 km/orë në vetëm 2.7 sekonda dhe me një shpejtësi maksimale me 375 km / orë.