Ditën e sotme, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka vijuar turin e takimeve të saj, kësaj radhe në Farkë të Tiranës.

Në fjalën e saj me banorët e zonës, Kryemadhi ka theksuar se njerëzit kanë nevojë për vëmendjen e shtetit e jo për fasada.

Ajo thotë se Farka është vetëm 5 km larg Tiranës, por mundësitë janë shumë të limituara si për sa i përket punësimit dhe shkollimit.

“Sot njerëzit kanë nevojë për vëmendjen e shtetit. Njerëzit sot nuk kanë nevojë për fasadë. Njerëzit kanë nevojë për bukën e përditshme në familjet e tyre, gjë që është e domosdoshme për të gjithë. Këtu je shumë afër Tiranës, vetëm 5 km, por trafiku ta bën të pamundur e duket sikur je shumë larg. Për hir të së vërtetës Komuna e Farkës ka qenë një komunë që ka zhvillim në ndërtime goxha, siç ka zhvillim siç janë komplekset e vilave apo shumë zhvillime të tjera, që shumë njerëz një pjesë të Farkës ja kanë kaluar qytetit të Tiranës, por edhe nga ajri pastër këtu duket që je larg ndotjes së Tiranës, por në fakt je dhe shumë afër. Por mundësitë janë shumë të limituara për sa i përket punësimit, për sa i përket shkollimit të fëmijëve, infrastruktura e bën të pamundur.

Aldi ne e kemi parë dhe kemi diskutuar, sepse ti do të jesh edhe një përfaqësues i LSI-së në listën e deputetëve, ku jo vetëm që ke marrë përsipër dhe do jesh pjesë e LSI-së, jo vetëm për Komunën e Farkës, por edhe shumë zona të tjera që kanë të bëjnë me rrethinat dhe për të përfaqësuar komunitetin tiranas. Ti duke qenë edhe djalë Farke këtu ti e ke marrëdhënien edhe njerëzore dhe nuk është çështja vetëm marrëdhënie politike. Sepse politika dhe partitë politike kanë ikur dhe kanë ardhur dhe në fund të ditës marrëdhënia e komunitetit është me njerëzit që janë të lidhur shpirtërisht. Dhe nëse ne mund ta shikojmë si një moment që këtu mund të vish nga një qytet tjetër, lidhja e autoktonit me zonën është shumë e fortë. Dhe ashtu sikurse Tirana përfaqësohet me djem dhe vajza që vërtetë nuk janë të Tiranës, por kanë dëshirën për ta zhvilluar dhe për të ecur përpara. Dhe në fakt Tirana është një metropol dhe përfshin të gjitha llojet e profesioneve dhe të gjithë angazhimin e njerëzve, ashtu sikurse edhe Komuna e Farkës me gjithë rrethinat e saj.

Njerëzit kanë nevojë për vëmendje, për infrastrukturën, kanë nevojë për shërbime sepse në fund të ditës të gjithë paguajnë taksa. Edhe pse je në njësi administrative, taksën e paguan si të jesh në mes të Tiranës.

 

By kristal