Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave Genti Gazheli, në praninë e Oficerit të Zyrës Ndërlidhëse të Europolit në Tiranë z. Alen Perusic, kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi mes dy institucioneve për ‘Dhënien e së drejtës së aksesit në sistemin elektronik SIENA’.
‘Memorandumi i bashkëpunimit do të mundësojë që edhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, duke filluar nga sot e në vazhdim do të marrë akses në platformën SIENA të Europol-it. Platformë e cila do të mundësojë jo vetëm shkëmbimin e informacionit dhe aksesin në bazën e të dhënave, por do të synojnë edhe krijimin e mundësive dhe lehtësirave të nevojshme për një informacion në kohe reale për të marrë dhe shpërndarë nga agjencitë e tjera te zbatimit te ligjit dhe me Europol-in. Do të mundësojë krijimin e takimeve operacionale, por edhe mbështetjen për operacione të përbashkëta që mund të zhvillohen në të ardhmen. Tashmë, ne si vend kandidat për në BE dhe pjesëtar për në Europol, do të kemi mundësinë që si dy agjenci të zbatimit të ligjit, të kontribuojmë më shumë në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit. Policia e Shtetit prej kohësh është aktive në këtë platformë, ka kontribuar dhe ka marrë mbështetje në disa operacione jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë Shqipërisë në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, por tashmë së bashku ne do të bëjmë të mundur të ndjekim në kohë reale, të shkëmbejmë informacion dhe t’i japim një goditje më të fortë luftës kundër krimit ekonomik dhe gjithë krimit të organizuar në përgjithësi’, është shprehur drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu.
Ndërsa, drejtori i Doganave ka thënë se shkëmbimi i informacionit është shumë i rëndësishëm për evidentimin dhe parandalimin e shkeljeve doganore, si dhe krijimit të lehtësirave për operatorët ekonomikë.
‘Në një kohë kur e gjithë bota po kalon një periudhë të vështirë, është shumë i rëndësishëm përcaktimi i rregullave dhe procedurave të ushtrimit të së drejtës së aksesit në sistemin elektronik ‘SIENA’ dhe bashkëpunimi në mënyrë të ndërsjellë për mbarëvajtjen e proceseve të administrimit dhe zbatimit të rregullave që garantojnë sigurinë e të dhënave dhe të aksesit nga DPD. Ky bashkëpunim mbron interesin publik dhe interesat e tjerë të ligjshëm të personave, të dhënat e të cilëve janë objekt i kësaj marrëveshjeje. DPD, me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje bëhet partnere e rëndësishme edhe me Zyrën e Policisë Europiane (Europol) për bashkëpunimin strategjik dhe operacional, duke shkëmbyer informacione në kohë reale, me qëllim parandalimin dhe luftën kundër veprave penale, kontrabandës dhe trafiqeve të paligjshme’.
Zbatimi i kësaj marrëveshjeje do të monitorohet nga Njësia Kombëtare e Europolit në Policinë e Shtetit.