Me rastin e udhëtimit të saj në Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Serbi dhe Moldavi Ministrja e Jashtme e Gjermanisë  Annalena Baerbock deklaroi:

 

“Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës është një kthesë rrënjësore, e cila tregon me forcë, që Evropa duhet të jetë e gatshme të investojë në mënyrë strategjike në sigurinë e saj aftgjatë. Kjo vlen në mënyrë të veçantë edhe për marrëdhëniet tona me vendet e Ballkanit Perëndimor. Paqja e sotme në Ballkanin Perëndimor me gjasë nuk është perfekte – por është e vyer, – citoi ambasada gjermane në Tiranë dhe vijoi:

“Duhet ta themi shumë hapur, se vitet e fundit ne i kemi zhgënjyer dhe lënë pas dore shumë prej këtyre vendeve. Përmes këtij krahu të hapur depërtojnë aktorë si Rusia, të cilët nuk kanë asnjë interes për të ardhmen evropiane dhe nuk druhen të rindezin konflikte të pagjidhura. Sot po udhëtoj para së gjithash drejt Ballkanit Perëndimor për të dëgjuar se çfarë presin njerëzit e atjeshëm prej nesh – por edhe për të bërë të qartë, se ne nuk do t’ia lemë ndikimit të Moskës këtë rajon në zemër të Evropës.

 

Ditët e fundit Evropa ka treguar që është e vendosur dhe e aftë për t’iu kundërvënë qasjes agresive të presidentit rus. Tani duhet të tregojmë, se jemi të gatshëm që me të njëjtën forcë veprimi të angazhohemi në vendet e fqinjësisë sonë evropiane me dëshirën për të formësuar dhe sytë nga e ardhmja.

Njerëzit në rajon do të na vlerësojnë për aq sa ne do t’ia dalim, që fjalët t‘i kthejmë në vepra. Gjermania është qenësisht e interesuar për një Ballkan Perëndimor të qëndrueshëm politikisht dhe prosperues ekonomikisht, shtetet e të cilit të orientohen kah Europa. Ne do të angazhohemi pikërisht për këtë qëllim në bisedat politike që na presin, sikundër edhe me investime strategjike – para së gjithash në energji të rigjenerueshme.

 

Ne duam gjithashtu që t’i japim një fytyrë Ballkanit Perëndimor si prioritet politik. Ndaj qeveria federale ka krijuar një funksion të ri, atë të të Ngarkuarit të Posaçëm për këto vende. Gëzohem shumë që ky pozicion i rëndësishëm mbahet nga Manuel Sarrazin. Unë e di që zemra e tij rreh për shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe të ardhmen e tyre evropiane. Ai do të më shoqërojë gjatë udhëtimit tim dhe prej këtij momenti do të kujdeset për një lidhje intensive dhe të drejtpërdrejtë të qeverisë federale me këto vende dhe shoqëritë e tyre.”

 

 

By kristal