Ngritja dhe rënia e Bibliotekës së Madhe të Aleksandrisë

Biblioteka e famshme e Aleksandrisë në Egjipt, ishte një nga qendrat më të rëndësishme të dijes në botën e lashtë, e ndërtuar në shekullin IV Para Krishtit, ajo lulëzoi për rreth 6 shekuj.

Ishte qendra kulturore dhe intelektuale e botës së lashtë helenistike, dhe flitej se përmbante gjysmë milioni rrotulla papirusi, koleksioni më i madh i dorëshkrimeve në botën e lashtë.

Aty përfshiheshin vepra nga Platoni, Aristoteli, Homeri, Herodoti dhe shumë të tjerë.

Disa nga mendjet më të shkëlqyera të periudhës punuan, studiuan dhe mësuan në këtë bibliotekë. Por në shekullin V Pas Krishtit, biblioteka në thelb kishte pushuar së ekzistuari.

Në kushtet kur shumica e koleksioneve të saj u vodhën, shkatërruan apo thjesht u lejuan të degradojnë, biblioteka nuk kishte më ndikimin që kishte dikur.

Aleksandri i Madh e themeloi qytetin e Aleksandrisë në Egjipt, në skajin veriperëndimor të deltës së lumit Nil rreth vitit 331 Para Erës Sonë.

Kur nderroi jete 8 vjet më vonë, perandoria e tij u nda midis gjeneralëve të tij.

Njëri prej tyre, PtolemeuI, u bë sundimtar i Egjiptit dhe themeloi kryeqytetin e tij në Aleksandri.

Nën mbretërimin e tij dhe të pasardhësve, qyteti u bë një nga qendrat më të mëdha dhe më të begata të periudhës helenistike (vitet 323 Para Krishtit deri në vitin 30 Para Krishtit) – një qendër tregtare e lulëzuar dhe një port detar mesdhetar.

“Ndoshta biblioteka u ndërtua shumë shpejt pas themelimit të Aleksandrisë, rreth vitit 331 Para Krishtit. Por është e paqartë nëse biblioteka u themelua nga Aleksandri, Ptolemeu I apo djali i tij, Ptolemeu II. Por duket se ajo u ngrit në kohën e këtij të fundit, që sundoi në vitet 284 deri në vitin 246 para Krishtit”,- tha Uileke Uendrih, profesor i arkeologjisë egjiptiane dhe Xhoan Silsbie arkeologjisë kulturore afrikane në Universitetin e Kalifornisë, Los Anxhelos.

Por një legjendë thotë se biblioteka filloi të ndërtohej kur një nga nënshtetasit e Ptolemeut I, një athinas i quajtur Demetri nga Falerum, propozoi ndërtimin e një ndërtese për të vendosur të gjitha dorëshkrimet e njohura në botë.

Projekti i Demetrit synonte ngritjen e një akademie që do të rivalizonte Liceun e famshëm të Aristotelit, një shkollë dhe bibliotekë afër Athinës.

Me sa duket u ra dakord dhe shumë shpejt një ndërtesë e re u ngrit brenda rrethinave të pallatit mbretëror. “Ajo u quajt Museion, ose “Vendi i Muzave”, -thotë Uendrih.

Pra u emërtua sipas muzave, nëntë perëndeshave greke të arteve.

Drejtuesi i parë i bibliotekës ishte Zenodoti i Efesit.

Ai ishte një studiues dhe poet grek që shërbeu si kryebibliotekar nën sundimin e Ptolemeut I dhe Ptolemeut II.

Ai ishte përgjegjës për botimin e parë kritik mbi Homerin, duke u përpjekur të përcaktonte se cilat pjesë të Iliadës dhe Odisesë ishin origjinale, dhe cilat u shtuan nga shkrimtarët e mëvonshëm.

Po ashtu, Zenodoti redaktoi veprën e Hesiodit, Pindarit dhe poetëve të tjerë të lashtë, si dhe botoi poezitë e tij.

Me kalimin e kohës biblioteka u zgjerua në madhësi dhe fushëveprim, ndërsa sundimtarët i panë avantazhet e promovimit të një qendre të të mësuarit dhe kulturës brenda qytetit të tyre.

Subvencionet e mëdha nga mbretërit çuan në krijimin e një kompleksi ndërtesash që rrethonin Museion.

Edhe pse nuk dihet plani i saktë arkitekturor i bibliotekës sipas historianit të lashtë Diodor Sikuli, në kulmin e saj biblioteka ishte e famshme për sallat e leksioneve, laboratorët, salla e takimeve, kopshtet, restorantet, madje edhe një kopsht zoologjik.

Po ashtu ajo kishte një shkollë mjekësie, studentët e së cilës praktikonin diseksionin e kufomave njerëzore, një aftësi unike që praktikohej rrallë në Evropë para Rilindjes së shekullit XV.

“Museion nuk ishte një muze në kuptimin modern të këtij termi, por shumë më tepër se një universitet. Atje recitoheshin vepra letrare dhe diskutoheshin teori të ndryshme”,- thekson Uendrih.

Arkivi i bibliotekës, ku mbaheshin dorëshkrimet, mund të ketë qenë një ndërtesë e veçantë nga Muzeu, megjithëse kjo gjë mbetet ende e paqartë.

Vepra të quajtura rrotulla, shkruheshin në papiruse, një kallam që rritej përgjatë lumit Nil.

Kallamishtet shtypeshin për të formuar letër dhe më pas thaheshin në diell.

“Temat që trajtonin rrotullat përmbanin tërësinë e njohurive të botës së lashtë perëndimore, duke filluar nga veprat letrare, te traktatet filozofike, tek shpjegimet shkencore”,- shpjegon Uendrih.