Ajo kishte promovuar publikisht një “ilaç magjik” anti-Covid, një shurup i bazuar me mjaltë dhe arra të shtypura, i përgatitur – u kishin thënë mediave lokale prodhuesit e saj – sipas të dhënave të një natyre hyjnore, domethënë, ato që perëndesha Hindu Kaali, kishte diktuar të shfaqeshin në një ëndërr për njërin prej tyre.
Tani, Ministrja e Shëndetësisë në Sri Lanka, Pavithra Wanniarachchi, ka dalë pozitive me koronavirus pas dy testeve dhe është në izolim.
Vetëm muajin e kaluar, mijëra njerëz ishin vënë në radhë në qytetin Kegalle, në veriperëndim të Colombos, në Sri Lanka, për të marrë një dozë të “ilaçit”, i cili, sipas ministres së Shëndetësisë që e kishte marrë publikisht, të mbronte nga Covid.
Komuniteti shkencor kishte paralajmëruar kundër administrimit të këtij produkti, të paraqitur si një antidot, një recetë për të shpëtuar njerëzimin nga koronavirusi, pa bazë shkencore, por që Ministrja e Shëndetësisë e kishte përqafuar, pa e ditur se ajo do të kishte dhënë rezultate jo efikase.
Në Sri Lanka, nuk është e pazakontë që popullata të përdorë “magji” për të kuruar shëndetin e tyre dhe për këtë arsye, vetë Ministrja e Shëndetësisë kishte marrë para kamerave atë ilaç shtëpiak, por pavarësisht nga frymëzimi hyjnor, nuk kishte shkaktuar shumë bujë.
Në nëntor, e njëjta ministre, kishte derdhur një tenxhere me ujë “të bekuar” në një lumë, pasi një njeri i shenjtë, i tha asaj, se duke bërë kështu, ai do t’i jepte fund pandemisë.
Tani, pas infektimit të ministres, presidenti i vendit, Gotabaya Rajapaksa, duket se ka marrë masa: ai njoftoi se vendi do të marrë dozat e para të vaksinës “AstraZeneca” nga India të martën, 27 janar.
Këto janë doza që India për momentin po i vë në dispozicion falas, ndërsa qeveria ka filluar negociatat për një marrëveshje për të blerë ilaçin, nga vetë India, por edhe Kina dhe Rusia, për të nisur një fushatë vaksinimi në mes të shkurtit.