Këngëtarja Elsa Lila e arrestuar të mërkurën nga policia e Romës megjithëse nuk ka pasur një kontakt direkt me trafikimin e drogës, ajo luante një rol të rëndësishëm në grupin kriminal me bazë në periferi të Romës.
Mediat italiane kanë publikuar të tjera detaje nga operacioni i cili vuri në pranga 9 persona, duke zbuluar se 41-vjeçarja shqiptare krahas mbajtjes së librit të llogarive të marrëveshjeve për shitjen e drogës, ajo ishte edhe një lloj “këshilltareje”, për anëtarët e bandës.
Në një fragment të përgjimeve të regjistruara nga policia italiane, Lila këshillon një nga anëtarët e grupit kriminal me nofkën “Rindi” që të shmangte përdorimin e çeqeve dhe të krijonte lidhje me persona të pushtetshëm pasi ata do ti duheshin gjithmonë në këtë aktivitet.
“Si mund të gjesh një të njohur brenda institucioneve shtetërore? Kjo është zgjidhja… E di që nuk ke besim, por një lidhje në shtet është e dobishme… Si në Shqipëri, edhe këtu kemi nevojë për një mik, një lidhje me shtetin, se të shpëton. Kushdo që qeveris, duhet ta gjesh. Edhe këtu shiten shumë”.
Në përgjime është zbuluar se ishte pikërisht Lila ajo që i ofroi “Rindit” shtëpinë e saj për t’u fshehur nga policia në një operacion të zhvilluar në 2019-ën. Edhe pse përdornin telefona të kriptuar që nuk mund të përgjohen, Lila është fiksuar në një bisedë ku shprehet e bindur se policia nuk do shkonte tek ajo pasi ishte e famshme.
“Askush nga shteti nuk vjen të më kontrollojë mua. Më njohin. Kam marrëdhënie të shkëlqyera. Një herë më vunë gjobë, por më thanë të mos e paguaja sepse askush nuk do ta verifikonte”.
Grupi kriminal ishte organizuar në mënyrë të thjeshtë por efikase. Ata kishin një shtëpi në Torrevechia dhe një garazh në Acilia për të mbajtur drogën, makina në emër të të tjerëve për ta lëvizur atë dhe dy bare fikse ku takoheshin për mbledhje.
Në krye të kësaj organizate ishin disa italian dhe boksieri shqiptar Petrit Bardhi, i njohur si “Titty”, të cilët takonin klientë dhe element të rëndësishëm kriminal. Gjatë operacionit që nisi mëngjesin e mërkurës u lëshua 13 urdhra-arreste, 9 prej të cilave u ekzekutuar menjëherë, mes të cilëve është edhe këngëtarja e njohur shqiptare.