Presidenti Vladimir Putin vazhdon të bëjë të paditurin dhe të deklarojë se Rusia nuk po bombardon qytetet në Ukrainë, pavarësisht sulmeve vdekjeprurëse me raketa.
Putin, duke folur në një telefonatë me kancelarin gjerman Olaf Scholz këtë mbrëmje, hodhi poshtë të gjitha raportet për sulmet ruse mbi ndërtesat e banimit, shkollat dhe spitalet, duke i quajtur ato si ‘të rreme’. Ndërkohë një ditë më parë doli në TV për të akuzuar ukrainasit për përdorimin e civilëve si ‘mburoja njerëzore’ ndërsa u zotua se nuk do të tërhiqet nga sulmi i tij, raporton Daily Mail.
Teksa ai fliste, shërbimet e urgjencës në Ukrainë paralajmëruan se rreth 100 njerëz mund të varroseshin në rrënoja pasi një sulm me raketë shkatërroi një apartament në qytetin Boradyanka – 30 milje nga Kievi.
Zyrtarët në Chernihiv thanë gjithashtu se 49 persona janë vrarë nga një sulm me bombë.
Paralajmërime gjithnjë e më të dëshpëruara vijnë gjithashtu nga qyteti i rrethuar i Mariupolit, në jug, ku kryetari i bashkisë ka paralajmëruar se qyteti ‘thjesht po shkatërrohet’ nga artileria ruse. Ai është lutur për një armëpushim për të lejuar evakuimin e civilëve.
Rusia ka zhvilluar gjithnjë e më shumë një luftë terrori kundër civilëve ukrainas pasi përpjekjet për të kapur me shpejtësi vendin dështuan. Granatimet pa kriter të qyteteve kryesore të Ukrainës kanë ndodhur, duke lënë qindra të pafajshëm të vdekur.