Në një nga ato ditët kur është “më e ngeshme”, siç thotë vetë aktorja, Rudina Dembacaj ka ndalur për të bërë një intervistë virtuale me ndjekësit e saj, të cilët, gjithmonë janë kureshtarë për të zbuluar më shumë për raportin e saj me Mark Frrokun.
Edhe gjatë ditës së sotme pyetjet për të kanë qenë të shumta, ndaj edhe Rudina është fokusuar tek një pjesë prej tyre për t’u dhënë përgjigje miqve virtualë.
Qysh në ditën e parë të këtij viti, Rudina dhe Marku ndanë me fansat e tyre urimin për një vit të mbarë me foto nga celebrimi i dashurisë së tyre dhe pas kësaj, kureshtja për planet e ardhshme të çiftit bëhet edhe më e madhe.
Për pyetje të tipit “Çfarë pëlqen më shumë Marku te ty?”, “Cila është dhurata më e bukur?”, “A po mendoni për ndonjë bebe?” etj., Rudina është gjithmonë e gatshme të përgjigjet, sepse, natyrisht, edhe e ‘llastojnë’ paksa, por jo më pak interes për të janë edhe projektet e reja, për të cilat po punon me shumë përkushtim e dashuri.
Megjithatë, “si po i shkon martesa me Markun” duket të jetë për momentin thelbi i të gjithave. Dhe përgjigjja e vetme për këtë është: mjaft mirë. Rudina rrezaton, është në periudhën e saj më të mirë, në top formë dhe këtë e tregojnë edhe fotot e fundit.
Gjatë intervistës online me miqtë e saj, aktorja u shuan kureshtjen fansave edhe për dhuratën më të bukur që ka marrë nga Marku, ashtu si edhe për planet që ka për një fëmijë tjetër. E para, natyrisht, s’mund të ishte as më shumë e as më pak veç unazës me të cilën Marku i propozoi martesë, ndërsa për të dytën, siç shkruan aktorja, duhet edhe pak kohë.
Po ashtu, Rudina përgjigjet edhe për shumë pyetje të tjera që kanë miqtë e saj, si për sekretin e trupit në formë, operacionet plastike, raportin që ka me fëmijët e Markut, madje edhe për statusin civil të ish-bashkëshortit të saj. Për këtë, natyrisht, Rudina nuk përgjigjet, por etiketon Aleksin, që t’u kthejë ai vetë përgjigje të interesuarave…