Shtohen kreditë e reja, biznesi e përdor për pajisje dhe energji. Individët për të blerë shtëpi

Kredia e re vijoi të zgjerohej në muajin prill pavarësisht rritjes së normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë dhe inflacionit në nivele rekord.

Në krahasim me vitin e kaluar, kredia e re ishte 39% më e lartë, në shifrën e 23.4 miliardë lekëve, shifra më e lartë e shtatë viteve të fundit.

Për katër muajt e parë të vitit kredia e re arriti 89 miliardë lekë, duke mos u ngadalësuar. Në ndryshim nga marsi, korporatat publike, kryesisht ato në sistemin e energjisë i janë rikthyer kredisë për të plotësuar nevojat për importe, ndërsa rritja e fortë vijon edhe nga bizneset private.

Bizneset kanë marrë më shumë kredi për blerjen e paisjeve në prill, ndërsa kanë ulur investimet në pasuritë e paluajtshme. E kundërta qëndron për individët, të cilët vazhdojnë trendin e tyre për të investuar në pasuri të paluajtshme, ndërsa në ritme të larta qëndron edhe kredia konsumatore.

Gjithashtu nga shifrat e kredia në euro po fiton gjithmonë edhe më shumë terren. Në katër muajt e fundit sektori bankar dha 365 milionë Euro kredi të reja, që vjen me rritje 57% nga viti i kaluar, ndërsa institucionet në vend ndjekin një politikë deeuroizimi.