Tetë mjekë dhe infermierë do të dalin në gjyq për vdekjen e Diego Armando Maradonës. Kështu vendosi Dhoma e Apelit dhe Garancisë e gjykatës së San Isidros, e përbërë nga Carlos Fabian Blanco, Gustavo Adrian Herbel dhe Ernesto Garcia Mannon, e cila konfirmoi hipotezën e krimit të vrasjes me dashje të mundshme.
Ky krim në Argjentinë dënohet nga 8 deri në 25 vite burg. Ende nuk është bërë e ditur se kur do të zhvillohet gjyqi për çështjen në fjalë. Legjenda argjentinase e futbollit ndërroi jetë mbi dy vite më parë, më 25 nëntor 2020, teksa hetimet për shkakun u hapën në ditët në vijim nga një grup ekspertësh të caktuar nga gjykata.
Hetimi zbuloi se ish-numri legjendar 10 nuk ishte asistuar siç duhej në banesën e tij, pas daljes nga spitali, ku kreu një ndërhyrje kirurgjikale në kokë. Ai vdiq i vetëm në Tigre, një qytet 25 kilometra larg Buenos Aires.
Mungesa e trajtimit të duhur mjekësor fatkeqësisht i kishte përkeqësuar me shpejtësi kushtet e jetesës së Maradonës, i cili i ishte nënshtruar një operacioni në tru disa ditë më parë.
Neurokirurgu Leopoldo Luque, psikiatri Agustina Cosachov, psikologu Carlos Angel Diaz, mjekja koordinuese Nancy Edith Forlini, koordinatori i infermierëve Mariano Ariel Perroni, infermieri Ricardo Omar Almiron, infermierja Dahiana Gisela Madrid dhe mjeku Pedro janë nën hetim dhe tashmë nën akuzë zyrtare nga prokuroria.