Zjarri në Ishëm, era e fortë përhap me shpejtësi flakët

Një vatër zjarri në Shetaj të të Ishmit vazhdon edhe këtë të mërkurë të djegë shkurre dhe pemë.

Për më shumë se 30 orë, 15 zjarrfikës të Durrësit të ndihmuar nga 20 trupa të ushtrisë dhe 4 mjete zjarrfikëse kanë punuar intensivisht për të neutralizuar zjarret në këtë zonë. Kanë qenë 6 vatra zjarri që janë shuar nga forcat në terren, ndërkohë që vatra e shtatë është në një zonë të paarritshme për shkak të bimësisë së dendur dhe një terreni tepër të thyer.

Era e fortë e ka vështirësuar edhe më shumë punën e ekipeve në terren. Për të neutralizuar këtë vatër zjarri ditën e djeshme ka ardhur në ndihmë helikopteri i cili ka punuar për fikjen e tij.

Situata është nën kontroll, flakët janë minimizuar, por vatra është ende aktive ndaj sot fadromat kanë filluar punën për të hapur një rrugë në mënyrë që ekipet në terren të shkojnë sa më pranë vatrës dhe të shuajnë plotësisht zjarrin.

”Jemi në terren në gatishmëri duke monitoruar situatën dhe duke punuar për shuarjen e të gjitha vatrave të zjarrit”, shprehet kryebashkiakja Emiriana Sako, pas kritikave të kryeministrit për menaxhimin e dobët të situatës së zjarreve nga bashkia e Durrësit.