Ndeshje spektakolare në “Old Trafford” mes Manchester United dhe Everton. Në fund nuk pati fitues, teksa të dy ekipet morën nga një pikë pas barazimit 3-3.

Sfidën e zhbllokoi Edinson Cavani në mesin e pjesës së parë. Kros i bukur i Rashford nga e djathta dhe finalizim me kokë i “El Matador”. United gjeti një tjetër gol në minutën e fundit të pjesës së parë.

Bruno Fernandes realizoi një eurogol dhe “Djajtë e Kuq” shkuan në pushim në avantazh të dyfishtë. Evertoni e nisi “zjarr” pjesën e dytë dhe ia doli të barazojë takimin brenda tre minutave.

Abdoulaye Doucoure shkurtoi diferencën duke finalizuar një aksion model të ekipit të tij. Tre minuta më vonë e gjeti rrjetën James Rodriguez.

Fantazisti kolumbian mposhti De Gean me një sallake potente dhe barazim 2-2. Gjithsesi, vendasit gjetën forca, reaguan dhe ia dolën të rikthehen në avantazh në minutën e 70-të.

Skocezi Scott McTominay shënoi me kokë, por miqtë nga Liverpuli nuk e kishin thënë akoma fjalën e fundit. Calvert-Lewin tundi rrjetën në minutën e 95-të dhe evitoi humbjen e ekipit të Carlo Ancelottit. /

By kristal