Deputeti socialist Erion Braçe, në një prononcim për mediet para se të futej në kuvend, për seancën e radhës plenare, ka kritikuar autoritetin e Konkurrencës, që thotë se nuk po ndërhyn për të penguar shtrenjtimin e menjëhershëm e hidrokarbureve dhe produkteve të shportës.
“Të rritet çmimi nga darka në mëngjes m 40 lekë dhe Autoriteti i Konkurrencës të mos bëjë asgjë?!”, deklaroi Braçe.
I pyetur nëse shteti ka mekanizma për të rregulluar çmimin e naftës, deputeti u përgjigj “unë besoj që po”.
Këtë të enjte, çmimi i naftës ka arritur në 265 lekë/litri. Produktet e shportës po ashtu janë shtrenjtuar në tre muajt e fundit.
Një ditë më parë, qytetarët në disa qytete u ngritën në protesta. Por Braçe tha se nuk do të marrë pjesë në protestë, pasi siç u shpreh, është kundër prekjes së taksave me presion rruge.
“Normalisht politika fiskale nuk bëhet në rrugë e mbi të gjitha transferimi i përgjegjësisë sociale nga shteti te tregtarët për mua është e papranueshme. Përgjegjësinë sociale për shtresat në nevojë, për fermerët, bujqit, duhet ta mbajë shteti. Nuk mund ta mbajnë tregtarët, për më tepër tregtarë që abuzojnë.Nuk do i bashkohem protestës.
Pashë njerëz nga politika atje që mbajnë përgjegjësi, që kanë dhënë kontribut për grabitjen e hidrokarbureve dhe civilë që kanë vjedhur. Pashë banditë rrugës dhe Rolex nga 10 mijë euro në dorë që marrin mikrofonin në dorë dhe flasin për Shqipëri etnike”, tha Braçe.