Rusia ka zgjeruar sulmet e saj dhe ka ndërmarrë sulme në disa qytete të reja, të cilat që prej nisjes së pushtimit nuk ishin prekur. Mediat ndërkombëtare kanë raportuar për shpërthime në Lutsk, qytet në veriperëndim të Ukrainës dhe në Dnipro, një qytet që ndodhet pranë lumit Dnipro dhe një fortesë në qendër të Ukrainës.

Sipas asaj që shkruan BBC, sulmi në Lutsk shënjestroi një aeroport. Po ashtu raportohet se trupat ruse kanë goditur një fabrikë, i vetmi vend ku motorët e avionëve luftarakë mund të riparoheshin.

Sipas raportimeve ky vend ishte në listën e aseteve strategjike që po shënjestroheshin nga Rusia. Ndërkohë kryebashkiaku i Lutsk i bëri thirrje qytetarëve që të gjejnë strehim si pasojë e bombardimeve.

Ndërkohë në Dnipro ka pasur të paktën 3 shpërthime. Mediat ukrainase kanë raportuar se është goditur një fabrikë këpucësh, një kopsht dhe një ndërtesë me apartamente.

Për pasojë një person ka mbetur i vdekur. Lajmi është konfirmuar nga shërbimet e emergjencës.

By kristal