Çmimi i karburanteve nuk do të jetë më shumë se 217 Lekë për litër. Të gjitha pikat e shitjes do të jenë të  detyruara ta shesin naftën dhe benzinën me këtë vlere.

Kështu ka vendosur në mbledhjen e tij të parë Bordi i Transparencës, i ngritur me vendim të Qeverisë me qëllim kufizimin e përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës dhe gazit. Ndërsa gazi i lëngshëm nuk do të tregtohet mbi 93 Lekë për litër.

Këto çmime do të jenë të vlefshme për periudhën 12 Mars-15 mars 2022. Pas kësaj bordi do të rimblidhet sërish për të bërë me dije pasqyrimin e çmimeve të reja.

Vendimi i bordit është detyrues për të gjithë tregtarët dhe disa pika karburanti e reflektuan menjëherë atë, duke i ulur çmimet.

Kryeministri Rama paralajmëroi në takimin e të premtes me grosistët se nëse vendimi nuk do të respektohet do të procedohet deri në sekuestrimin e pikave të karburantit.

Menjëherë pas takimit çmimi i naftës ra në 223 Lekë për litër. Ndërsa gjatë javës një litër nafte u tregtua mesatarisht me 250 lekë. Ulja e çmimit në 217 Lekë vjen teksa në bursat ndërkombëtare çmimi i një fuçie mbetet i njëjtë mes 109 dhe 113 Dollarëve për fuçi.

By kristal