Një shef kuzhine i njohur në Tiranë, edhe për shkak të emisioneve të gatimit në televizion, ra pre e dhunës me sende të forta natën e së shtunës. Të dielën, Policia arrestoi njërin nga agresorët, ndërsa në kërkim është shpallur vëllai i tij.

Sipas Policisë, Ernesti është kapur të shtunën gjatë operacionit policor të koduar “Derveni”. Sipas Policisë, e cila është bazuar edhe te një video që qarkullon në rrjet, Indrit Çela është qëlluar me shufra hekuri nga dy persona që i kishin bllokuar rrugën mbi “Urën e Gjolës” në Fushë-Krujë.

 

DHUNA

 

Mësohet se dy vëllezërit Ernest dhe Donald Luka i kanë bllokuar rrugën 39- vjeçarit dhe e kanë nxjerrë forcërisht nga makina, duke e goditur me grushte e shkelma dhe me shufra hekuri në mënyrë brutale. “Rreth orës 18:30, në aksin rrugor FushëKrujë –Rinas, në vendin e quajtur ‘Ura e Gjoles’, me automjetin e tyre i kanë bllokuar rrugën automjetit, me të cilin udhëtonte Indrit Çela, 39 vjeç, dhe e kanë goditur këtë të fundit me sende të forta duke i shkaktuar dëmtime të rënda fizike, i cili ndodhet në spital për ndihmë mjekësore”, sqaron Policia.

 

Për fatin e mirë të 39-vjeçarit, udhëtarët e tjerë që lëviznin në atë segment rrugor në ato momente kanë ndërhyrë duke larguar dy vëllezërit. Mësohet se vëllezërit Ernest dhe Donald Luka kane pasur konflikte të hershme me 39-vjeçarin Çela, ndërkohë që ata janë rrahur edhe më parë.

 

POLICIA

 

Pas njoftimit të marrë për ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku dy shtetas dhunuan fizikisht shtetasin Indrit Cela, i cili ka deklaruar se nuk i kishte njohur, si pasojë e errësirës, organizuam punën për zbardhjen e kësaj ngjarje.

Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera, paraditen e sotme është bërë e mundur zbardhja e ngjarjes, ku ka rezultuar se: shtetasit E. L., dhe D. L., vëllezër, banues në fshatin Derven, rreth orës 18:30, në aksin rrugor Fushë-Krujë – Rinas, në vendin e quajtur ‘Ura e Gjoles’, me automjetin e tyre i kanë bllokuar rrugën automjetit, me të cilin udhëtonte shtetasi I. Ç., 39 vjeç, dhe e kanë goditur këtë të fundit me sende të forta, duke i shkaktuar dëmtime të rënda fizike, i cili ndodhet në spital për ndihmë mjekësore. Shtetasi E. L. është arrestuar mbrëmjen e djeshme, në kuadër të operacionit policor të koduar “Derveni”, ndërsa vëllai i tij shtetasi D. L., është shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tij. Nga veprimet e para hetimore ka rezultatuar se mes shtetasve I. Ç., dhe vëllezërve E. L. e D. L. ka pasur konflikte të mëparshme.

 

ARRESTIMI PËR DROGË

 

Një nga personat e dyshuar si i përfshirë në dhunën ndaj kuzhinierit të njohur u arrestua, ndërkohë për një tjetër vepër penale. Ernest Luka përfundoi në pranga bashkë me babanë e tij, Llesh Luka, 57 vjeç, për kultivim të lëndëve narkotike. Operacioni i koduar “Derveni”, emri i fshatit ku banojnë të arrestuarit, sekuestroi një sasi prej 316 fidanë të bimës narkotike kanabis sativa. Policia sqaroi se bimët po rriteshin me llamba në një stallë që ishte përshtatur për këtë qëllim.

 

“Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të banesës dhe ambienteve në pronësi të këtyre shtetasve, kanë konstatuar një ambient (stallë), të përshtatur për kultivim të bimëve narkotike, me anë të llambave, ku brenda saj u gjetën dhe u sekuestruan 316 fidanë të dyshuar kanabis të kultivuar në vazo plastike, llamba, pajisje të ndryshme elektrike dhe aspiratorë dje aksesorë të tjerë që shërbenin për kultivimin e kanabisit me ngrohje, me anë të llambave”, thuhet në reagim. Policia sqaroi gjithashtu, se gjatë operacionit janë sekuestruar edhe shuma të mëdha parash në banesën e të arrestuarve, prejardhja e të cilave nuk dihet ende.

 

“Gjithashtu, nga kontrolli i ushtruar në banesën e këtyre shtetasve, Policia gjeti dhe sekuestroi 1.822.000 lekë dhe 37.000 euro, të dyshuara si të përfituara nga veprimtaria kriminale e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike”, thuhet më tej. Fenomeni i kultivimit të bimëve narkotike me anë të ngrohjes në ambiente të mbyllura po njeh gjithnjë e më shumë rritje në vendin tonë. Disa të ashtuquajtura “shtëpi bari” nga Tiranë në Sarandë janë zbuluar dhe sekuestruar nga policia përgjatë dy muajve të fundit, ndërsa të premten e shkuar një serë në zonën e Vaut të Dejës ishte mbjellë me rreth 2 mijë bimë narkotike.

 

Nga operacioni i koduar “Melgusha”, u arrestuan shtetasit Luan dhe Eqerem Shegaj, 51 dhe 26 vjeç, (babë e bir), banues në Melgushë të Bashkisë së Vaut të Dejës. “Bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, u ushtrua kontroll në një serë, në lagjen ‘Shegaj’ të fshatit Melgushë, të Vaut të Dejës. Si rezultat i kontrollit u gjetën dhe u asgjësuan 2600 fidanë, të dyshuar kanabis, që ishin kultivuar në serë”, tha Policia.

 

 

 

 

By kristal