Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije këtë të enjte se është bërë e mundur zmbrapsja përfundimtare e sulmit kibernetik që mbylli përkohësisht shërbimet publike online.

Në një deklaratë për mediat nga kryeministri, Rama bëri me dije se janë rikthyer shumica e shërbimeve në portalin e-Albania, ndërsa theksoi se ky ishte një sulm masiv i organizuar nga një shtet.

Kreu i qeverisë theksoi se dyshimet janë përqendruar në dy shtete jo miqësore me Shqipërinë, por duke mos i përmendur se cilët, teksa shtoi se në momentin që do të vërtetohet se cili shtet qëndron pas këtij sulmi, do të ndërmerren aksione konkrete diplomatike.

“Bëhet fjalë për një temë me shumë rëndësi e cila jo vetëm ka ngjallur një shqetësim shumë të madh dhe një furi shpifjes të një papërgjegjshmërie shumë të lartë lidhur me një agresion masiv kibernetik mbi Shqipërinë i cili kam kënaqësinë të them se është zmbrapsur përfundimisht dhe shërbimet për publikun në e-Albania janë kthyer masivisht dhe mbeten vetëm një numër shumë i vogël i tyre për t’ju rikthye kuadrit të përgjithshëm të funksionimit.

Do të kemi një konferencë të posaçme për shtyp kur gjithçka të ketë përfunduar.

Sulmi nuk është i organizuar nga hackrea të zakonshëm, ky është agresion i organizuar nga një shtet, nuk i kemi ende të gjitha provat për të përcaktuar një prej dy shteteve të dyshuara, shpresoj ta bëjmë në vijim.

Kur të kemi prova do të marrim aksione konkrete të natyrës diplomatike ndaj shtetit që qëndron pas këtij sulmi”, tha Rama.

By kristal