Një ngjarje e mundshme kriminale është parandaluar këtë të mërkurë në Kun të Shëngjinit.

Nikoll Sherniki, 28 vjeç, i cili ishte nën masën ‘arrest shtëpie’ si i përfshirë në vrasjen e efektivit Xhulio Prela, është arrestuar nga policia e Lezhës bashkë me një 34-vjeçare, Flutura Berisha.

Ata ndodheshin në automjetin tip”Toyota”, të parkuar në afërsi të një pallati në Kune, Shëngjin dhe sapo kanë parë shërbimet e Policisë duke u afruar, kanë dalë menjëherë nga automjeti dhe kanë tentuar të largohen me vrap.

Gjatë tentativës për t’u larguar, 34-vjeçarja ka tentuar njëkohësisht që të fshehë edhe një armë zjarri, në afërsi të vendit ku automjeti ishte i parkuar. Arma e zjarrit kallashnikov, së bashku me krehër e me fishek në fole, është gjetur më pas nga policia.

Në automjet, së bashku me këta shtetas ka qenë edhe një i mitur 15 vjeç.

Pas kontrollit të mjetit, është gjetur një krehër automatiku me fishekë në të, ndërsa gjatë kontrollit të ushtruar në çantën e dorës së vajzës janë gjetur 2 radio marrëse – dhënëse.

Nikoll Sherniki akuzohet për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, ndërsa Flutura Berisha për “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Policia dyshon se lëvizja e këtyre shtetasve me automjetin e blinduar, në role të ndryshme, ishte për të realizuar një ngjarje kriminale.

Sherniki është arrestuar në dhjetor të vitit 2021, I dyshuar si i përfshirë në vrasjen e policit Xhuljo Prela.

By kristal