Partia Demokratike, përmes deputetes Ina Zhupa, që ka dalë në konferencë për shtyp, ka vijuar denoncimet për aferën e stërmadhe të inceratorëve, duke i bërë apel SPAK-ut që të mos heshtë më, por të veprojë dhe të ndalojë shkuarjen e milionave të tjera tek personat e shpallur prej vetë Gjykatës së Posaçme në kërkim ndërkombëtar:

Ja deklarata e deputetes së PD: “Tentakulat e mega-aferës së inceneratorëve shtrihen në qytete më të mëdha të Shqipërisë, në stilin tipik të organizatave mafioze, në një skemë të kopjuar pikë e presje nga Camorra.

Nga Tirana në Elbasan dhe nga Fieri në Durrës. Qyteti bregdetar, i kapur prej një dekade nga një klan mizor, edhe pse nuk ka një incinerator është futur në vallen që hidhet mbi shpinën e taksapaguesve shqiptarë.

Edhe sot kemi pesë pyetje për të gjithë të interesuarit, përfshirë këtu ata pas Sakos dhe ata pas SPAK-ut:

1- Si ka mundësi që edhe pse parashikohej me vendim që do mbyllej Porto Ramano, kryetarja e Bashkisë Durrës, Emirjana Sako nuk gjeti asgjë zgjidhje se ku do shkonin mbetjet për një vit e gjysmë?

2- A u la me qëllim që të shkaktohej katastrofë mjedisore në Durrës, që të gjendej zgjidhja te “incenetarori” që nuk ekziston i Tiranës?

3- Si ka mundësi që kamionët edhe mbetjet e Durrësit vinin përpara se të kishte një marrëveshje zyrtare dhe shkarkonin mbetjet në landfillin, inceneratorin fantazëm të Sharrës?

4- Si është e mundur që, duke pasur në planin lokal të menaxhimit të mbetjeve të Bashkisë Durrës 3 skenarë të mundshëm për menaxhimin e mbetjeve si Landifilli i Sukthit apo i Gjepalajt, u zgjodh skenari me koston më të shtrenjtë në inceneratorin fantazmë të Tiranës?

5- Kush i ka bërë negociatat nga ana e Bashkisë Durrës me Landfillin e Sharrës dhe kush ka qenë nga pala tjetër? Si është arritur pagesa përfundimtare, kur janë çuar mbetje me zero lekë përpara kontratës, duke e paracaktuar se cilën zgjidhje do të bënte Bashkia?

Ne do të ngulim këmbë, me pyetje dhe kërkesë llogarie deri kur dikush në SPAK të lëvizë dorën për ta vënë te plaga e 430 milionë eurove dhe tek përgjegjësit e vërtetë. Lefteri është në burg, por koka që qelbet vjedhje luan kryegardianin e përgjithshëm të Shqipërisë. Me firmën e tij ndodhin të gjitha”.

By kristal