Një ekip i Microsoft ka provuar se hakerat, për të cilët qeveria thotë se janë nga Irani, kishin sulmuar sistemet në Shqipëri shumë kohë më parë dhe kishin marrë të dhëna të ndjeshme.

Këto sulme kanë kulmuar ditët e fundit, kur shteti duket se është shembur.
Por edhe pse e dinte për këto sulme, në mënyrë skandaloze, Edi Rama sulmoi ashpër bankat në muajin maj të këtij viti, duke tentuar që shërbimet bankare të bëheshin pjesë e e-Albania.

“Nuk ka pse një qytetar që ka një kartë krediti, qoftë debiti, qoftë online banking, dhe të ikë të niset për te dera e bankës për të paguar për një shërbim publik, po njësoj siç bën me e-Albania mund të kryejë dhe pagesën mu aty në e-Albania dhe kjo mund t’i konfirmohet në kohë reale, është plotësisht e realizueshme teknikisht dhe ky është një transformim që nuk është më koha ta diskutojmë, është koha ta bëjmë. Është shokuese për mua që panorama e sotme e nivelit të teknologjisë së bankave, është kjo që është,” tha Rama.

Bankat reaguan duke thënë se ofrojnë shërbime online me një siguri të lartë.

Kryetari i opozitës, Sali Berisha, deklaroi në atë kohë se qëllimi i Ramës ishte që të vendoste nën kontroll regjistrin e kredive dhe kursimeve të shqiptarëve.

Bankat nuk u bënë pjesë e e-Albania dhe paratë e shqiptarëve janë të sigurta. Kryetari i PL, Ilir Meta tha sot se ky është një lajm i mirë.

“Edi Rama, duke e ditur këtë situatë prej kohësh, në 6 maj 2022, kërkoi t’iu impononte bankave kryerjen e shërbimeve të e-Albania, t’i fuste në sistemin e tij të shqepur. Kjo kërkesë e çuditshme dilte pas goditjeve të njëpasnjëshme”, tha Meta.

By kristal