Del ekspertiza e eshtrave të gjetura në Novobërdë. Aoto disa javë më parë janë të Bedri Rexhepit, biznesmenit nga Ferizaj, i zhdukur prej më shumë se një viti.

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka njoftuar se ka ngritur akuzë ndaj dy të dyshuarve për vrasje të rëndë në bashkëpunim. Sipas prokurorit Armend Hamiti ai është vrarë për motive të dobta.

“Kam arritur të vërtetoj dhe kam ngrit aktakuzë ndaj Jeton dhe Nexhat Vllasaliu, në drejtim të veprave vrasje e rëndë në bashkëkryerje dhe dëmtimi i kufomave. Motivi i kryerjes së këtyre veprave është i ulët. Sipas hetimit tonë, rezulton se vrasja ka ndodhur për shkak të përfitimit material, për 30 mijë euro”, tha prokurori.

Bedri Rexhepi ishte zhdukur në prill të vitit të kaluar, një ditë më pas makina e tij ishte gjetur në Janjevë të Lipjanit. Ditën kur Rexhepi është zhdukur kishte shkuar të takohet me një mikun e tij për të shitur një makinë.

Familja e Bedri Rexhepit ka dalë me një reagim, pasi u konfirmua se mbetjet mortore që u gjetën në Novëbërdë, janë të të tij.

Në këtë reagim që një prej vëllezërve të Bedriut i ka dërguar Gazetës Express, thuhet se shpresa dhe dëshira e tyre e vetme në këtë moment është që “kriminelët të marrin dënimin e merituar”.

Tutje thuhet se “më e keqja dhe goditësja është se ky akt makabër i është shkaktuar nga një familje të cilës Bedriu jonë vazhdimisht i ka shtrirë dorën e përkrahjes dhe pa aspak hezitim i ka ndihmuar”.

“Si familje kemi pasur besim në institucionet tona dhe asnjëherë nuk kemi rreshtur së kërkuari Bedriun, megjithëse jeta e tij veqse kishte përfunduar më datën 8 prill 2021 nga dora e kriminele (Jeton dhe Nexhat Vllasaliu) të cilët tani janë në dorë të organeve të rendit. Shpresa dhe dëshira jonë në këtë moment është që kriminelët ta marrin dënimin e merituar. Njashtu, duam t’ju informojmë që Bedriu ka rënë pre e një mashtrimi me qellim të ulët të grabitjes, në mënyrën më tradhtare. Më e keqja dhe goditësja është se ky akt makabër i është shkaktuar nga një familje të cilës Bedriu jonë vazhdimisht i ka shtrirë dorën e përkrahjes dhe pa aspak hezitim i ka ndihmuar”, thuhet në reagim.

By kristal