Kryetari i PD, Sali Berisha akuzon kryeministrin Edi Rama se ka konfiskuar lirinë akademike.

Gjatë një takimi me Departamentin e Arsimit në PD, Berisha tha se Rama ka emëruar komisarë dhe borde qeveritare.

Berisha tha se arsimi sot në Shqipëri po rrënohet me shpejtësi, duke shtuar se në 8 vite janë mbyllur qindra shkolla dhe numri i studentëve është përgjysmuar.

“Sot arsimi, ashtu si shoqëria shqiptare përjeton në një mënyrë me shpejtësi të pabesueshme një rrënim krejtësisht me meit të diktuar nga politika, fund e krye të dëmshme dhe shkatërruese. Nëse marrim së bashku treguesit në tërësi, do të gjejmë se, asnjë luftë civile nuk mund t’i rrënojë kaq thellë dhe shpejtësi, treguesit e një kombi. Dihet që luftërat civile janë më shkatërrimtare për një komb. Këtu në 8 vite është larguar 27% e popullsisë, janë mbyllur me qindra e qindra shkolla, është përgjysmuar numri i studentëve. Me mijëra intelektualë të diplomuar janë larguar nga Shqipëria. Në 8 vite, njësoj si në diktaturë, pasi kanë një tipar, ose ndalojnë ose ngadalësojnë kohën. Gjatë viteve të diktaturës çdo gazetar që vinte në Shqipëri, e niste shkrimin; në vendin e kohës së ndaluar. Po të marrim treguesit tek ne, e vërteta është që ne sot jemi në vendin më shumë se të ndaluar, me treguesit që kemi, i kemi rrënuar këto tregues me politika qeveritare. Ju jeni vetë dëshmitarë se si kjo qeveri konfiskoi lirinë akademike, nëpërmjet komisarëve dhe bordeve qeveritare. Se si ky njeri, i cili me mburrje thotë se skam asnjë master, doktoraturë, ndaloi me një urdhër prej injoranti, hakmarrësi, doktoraturat në universitetet publike. Një vendim të tillë e merr veç ai që nuk ka abc-në e kërkimit shkencor dhe jetës akademike. Ose e merr ai që i urren të dyja. Një njeri i cili e shterroi fondin për shkencën, në mënyrë absolutisht më shumë se në diktaturë. Kërkimi shkencor në atë kohë ka qenë më i decentralizuar se sot. Për mua vendoste vetëm zv/dekani i cili firmoste dhe unë vazhdoja punën. Kjo është e vërteta”, u shpreh Berisha.

By kristal