Tiranë- Është zhvilluar me tensione dhe përplasje të forta debati në grupin parlamentar të PD.

Ish-kryeministri Sali Berisha ka përsëritur qëndrimin e tij se Enkelejd Alibeaj duhet të largohet nga posti i kreut të grupit parlamentar.

Sipas tij, Alibeaj tashmë nuk ka më asnjë funksion, ndërsa shton se veprimi i tij për të denoncuar Partinë Demokratike është i patolerueshëm.

“Për të qenë i hapur me ju si një njeri që isha shprehur për Enkelejd Alibeajn ndonëse me probleme të vërteta qenia e tij si kryetar grupi, por me një marzh tolerance të padiskutueshme, me veprimin e tij ai pushon së qenuri kryetar i grupit parlamentar. Është veprim shumë i gabuar, i shërben qeverisë. Ai nuk ka asnjë funksion të tillë.”- tha Berisha.

Më herët gjatë mbledhjes në selinë blu, Alibeaj shprehu bindjen se Apeli do të zhbëjë atë vendimmarrje që sipas tij u mor nga gjyqtari në konflikt interesi dhe në shkelje të ligjit. Kreu i grupit parlamentar u shpreh se vendimi i dhënë nga gjyqtari Zhukri për miratimin e statutit të Komisionit të Rithemelimit nuk është i formës së prerë.

By kristal