◾Qytetet e Lutsk, Ivano-Frankivsk dhe Dnipro janë shënjestruar për herë të parë nga trupat ruse që prej nisjes së pushtimit.

◾Presidenti Zelensky gjatë një fjalimi ka mohuar pretendimet e Rusisë se Ukraina po zhvillon armë kimike.

◾SHBA i ka quajtur këto pretendime të Rusisë si “qesharake” dhe thotë se janë një “alarm fals” për të justifikuar përdorimin e mundshëm të armëve kimike nga ana e Rusisë kundër Ukrainës.

◾Forcat ruse i janë afruar Kievit me 5 kilometra gjatë 24 orëve të fundit.

◾Bisedimet e paqes mes ministrave të Jashtëm të Ukrainës dhe Rusisë në Turqi përfunduar pa ndonjë progres drejt një armëpushimi.

◾Facebook dhe Instagram kanë ndryshuar rregullat e tyre për të lejuar “përkohësisht” thirrjet për dhunë ndaj trupave ruse ose Putin.

2 të vrarë pas sulmeve në Lutsk

2 ushtarë ukrainas janë vrarë dhe 6 të tjerë janë plagosur si pasojë e një sulmi rus në qytetin Lutsk.

Rusia ka njoftuar se ka goditur një aeroport ushtarak në Lutsk. Të njëjtën infrastrukturë, rusët pretendojnë se e kanë goditur edhe në Ivano-Frankivsk.

Rusia sulmon në Lutsk dhe Dnipro

Rusia ka zgjeruar sulmet e saj dhe ka ndërmarrë sulme në disa qytete të reja, të cilat që prej nisjes së pushtimit nuk ishin prekur. Mediat ndërkombëtare kanë raportuar për shpërthime në Lutsk, qytet në veriperëndim të Ukrainës dhe në Dnipro, një qytet që ndodhet pranë lumit Dnipro dhe një fortesë në qendër të Ukrainës.

Sipas asaj që shkruan BBC, sulmi në Lutsk shënjestroi një aeroport. Po ashtu raportohet se trupat ruse kanë goditur një fabrikë, i vetmi vend ku motorët e avionëve luftarakë mund të riparoheshin.

Sipas raportimeve ky vend ishte në listën e aseteve strategjike që po shënjestroheshin nga Rusia. Ndërkohë kryebashkiaku i Lutsk i bëri thirrje qytetarëve që të gjejnë strehim si pasojë e bombardimeve.

Ndërkohë në Dnipro ka pasur të paktën 3 shpërthime. Mediat ukrainase kanë raportuar se është goditur një fabrikë këpucësh, një kopsht dhe një ndërtesë me apartamente.

Për pasojë një person ka mbetur i vdekur. Lajmi është konfirmuar nga shërbimet e emergjencës.

Zelensky hedh poshtë pretendimet e Rusisë për armët kimike: Çfarë keni përgatitur për ne?

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka hedhur poshtë pretendimet e Rusisë se në Ukrainë zhvillohen armë biologjike dhe kimike me ndihmën e SHBA.

“Pretendohet se ne po përgatisim një sulm kimik. Kjo më shqetëson shumë sepse jemi bindur vazhdimisht: nëse do të dish planet e Rusisë, shiko se për çfarë i akuzon të tjerët që bëjnë. Çfarë janë këto pretendime për përgatitje për sulm kimik? Keni vendosur që të pastroni nga kimikizmi Ukrainën? Duke përdorur amoniak, duke përdorur fosfor? Çfarë keni përgatitur për ne? Asnjë armë kimike apo armë tjetër e shkatërrimit në masë nuk është zhvilluar në vendin tim”, ka thënë ai.

Zelensky ka thënë se 40 mijë njerëz janë evakuuar me ndihmën e qeverisë së Ukrainës. Zelensky ka thënë se Mariupol dhe Volnovakha “janë të bllokuara plotësisht”.

Ukraina akuzon Rusinë për “terrorizëm bërthamor”

Ukraina thotë se një ndërtesë për kërkimin bërthamor është bombarduar nga forcat ruse dhe e akuzon Moskën për “terrorizëm bërthamor”.

Inspektorati Rregullator Nuklear në Ukrainë thotë se centrali bërthamor në lindje të Kharkiv ka shkëputur energjinë dhe ka dëme sipërfaqësore si pasojë e bombardimeve. Megjithatë asnjë dëmtim në njerëz nuk është raportuar.

Deri më tani Rusia nuk ka bërë asnjë koment në lidhje me këtë çështje. Më 3 Mars, një tjetër central bërthamor, ai i Zaporizhias, u dëmtua si pasojë e sulmeve nga forcat ruse. Po ashtu, autoritetet ukrainase kanë humbur komunikimet me centralin e Chernobyl-it.

By kristal