Pas gjetjes së trupit të pajetë të 51-vjeçarit shqiptar Ylli Mera në Greqi, kanë reaguar edhe familjarët.

Vëllai i viktimës ka folur për Protothema duke u shprehur se ende nuk kanë informacion të saktë apo zyrtar por vetëm çfarë kanë dëgjuar nga mediat.

“Vëllain e gjetën të vdekur në mal, kishte shkuar atje me një grek, ndoshta për të prerë dru, ende nuk e dimë se çfarë ka ndodhur, por kemi dëgjuar që i është prerë këmba, aty e kanë gjetur sharrën elektrike me motor” thotë ai.

Vëllai i tij ishte njeriu që u shqetësua kur 51-vjeçari u largua për të prerë dru në mal dhe nuk dha shenja jete për tre ditë të tëra, duke u deklaruar zyrtarisht të zhdukur në polici më 4 nëntor.

“Kanë punuar bashkë me njeriun që ka shkuar në mal, por nuk di gjë më shumë, në Greqi jam vetëm unë, më vjen shumë keq për këtë ngjarje tragjike që ka ndodhur në familjen tonë, presim të mësojmë më shumë nga policia që po vijon hetimet.” -shtoi ai.

Që në momentin e parë që u raportua për zhdukjen e tij, alarmi u ngrit dhe policia nisi kërkimet intensive për gjetjen e tij, ndërsa grumbulloi edhe dëshmitë e personave që e njihnin mirë 51-vjeçarin dhe programin që ai ndiqte. Pasditen e së dielës, punonjës policie të Departamentit të Krimeve Kundër Jetës, nga shërbime të ndryshme të Policisë Helenike dhe me ndihmën e qenit të policisë “Shkëndija”, kanë arritur ta lokalizojnë në një zonë malore të Bashkisë së Volvit. Burri u gjet në gjendje të mjerueshme dhe pranë trupit të tij të pajetë kishte shenja gjaku, si pasojë e plagës me sharrë elektrike në kofshë.

Siç raportojnë banorët e fshatit për protothema.gr, 51-vjeçari e njihte dhe kishte marrëdhënie shumë të mira me 59-vjeçarin me të cilin kanë shkuar në mal ditën e martë për prerje të paligjshme. Në fund të fundit, nuk ishte hera e parë që të dy personat shkonin bashkë për të prerë dru dhe më pas i shisnin në zonë. Viktima dyshohet se do të merrte një shumë si punëtor, ndërsa 59-vjeçari mbante fitimin nga shitjet.

By kristal