Vazhdon të mbulohet me mister fati i Ervis Martinajt. E megjithatë çdo ditë publikohen detaje rreth fatit të tij. Kontrollet e zhvilluara nga RENEA në Shijak pas zhdukjes së të shumëkërkuarit Ervis Martinaj, kanë sjellë rezultate.

Në tv sonte u bë e ditur se Apeli i Tiranës i ka dhënë ‘OK’ prokurorisë së Tiranës për të angazhuar një grup për kontrollin e dy banesave në Shijak.

Me ndihmën e forcave RENEA, efektivët kanë zbarkuar në dy shtëpi, në pronësi të anëtarëve të një grupi kriminal në Shijak.

Në këto banesa janë gjetur dhe sekuestruar sende, të cilat mund të ndihmojnë e mund të hedhin dritë në misterin që rrethon ‘fatin’ e të shumëkërkuarit Ervis Martinaj.

Hetimet për hedhjen dritë mbi fatin e të shumëkërkuarit kanë përplasur ashpër insitucionet e drejtësisë shqiptare.

Prokuroria e Kurbinit kërkoi të kontrollonte disa banesa në Durrës për të gjetur prova biologjike për Martinajn, por në një seancë ‘top sekret’, gjykata e Kurbinit e rrëzoi këtë kërkesë.

Sipas informacioneve paraprake, të marra në rrugë informale, policia dhe prokuroria kishin të dhëna se Martinaj ishte rrëmbyer nga një grup kriminal që vepron në Durrës dhe se gjurmën e fundit e kishte në një banesë në këtë qytet.

Prokuroria nuk është ndalur me këtë kërkesë të parë, por i është drejtuar gjykatës së Apelit Tiranë.

Gjykata e Apelit, në një seancë jashtë vëmendjes së medias e ka pranuar dhe ka lejuar kontrollin e dy shtëpive në Shijak, që i përkasin të dyshuarve një grupi kriminal.

Burime zyrtare po tregohen të rezervuara por është mësuar se janë marrë disa sende nga atje, por nuk dihet ende se sa do të vlejnë për zgjidhjen e misterit të Martinajt.

Ervis Martinaj ishte shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, pasi i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, tha se i kishte ofruar një ‘çek të bardhë’ në këmbim të ‘kokës’ së Indrit Dokles. Por, në 9 gusht, ai u zhduk pa gjurmë. Alarmin e ngritën familjarët e Martinajt dhe tashmë prokuroria po heton për rrëmbim personi dhe inskenim.

Lidhur me këtë çështje, ka pasur edhe reagime nga kryeministri Edi Rama. Ai paralajmëroi edhe zhvillime, duke u shprehur se Policia e ka një përgjigje, por shumë shpejt do dalë me prova.

Deri më tani, sipas publikimeve të dokumenteve në media, Prokuroria ka dalë në përfundimin se i shumëkërkuari Ervis Martinaj është ‘shitur’ nga një vajzë dhe më pas është ekzekutuar. Zyrtarisht nuk ka ende asnjë version, pasi edhe Rama u tërhoq. Ai tha se përderisa nuk ka prova, Policia e Shtetit nuk do të shprehet zyrtarisht për këtë dosje.

By kristal