Siç u njoftua së fundi, Ministrja e Brendshme britanike Suella Braverman, po shqyrton planin për të përshpejtuar largimin nga vendi të azilkërkuesve që vijnë nga shtete të përcaktuara si “të sigurta”, një përpjekje kjo për të trajtuar krizën e emigrantëve të Kanalit.

Sipas The Times, qeveria britanike po kërkon të rikthejë një listë shtetesh që konsiderohen nga Zyra e Brendshme si të sigurta.

Kërkesat për azil të qytetarëve nga këto shtete do të konsideroheshin kryesisht si të pabazuara, përveç nëse ata janë në gjendje të ofrojnë prova për të kundërtën. Këtu përfshihet edhe fakti se nuk do të kenë të të drejtë për ankesë, ata që refuzohen.

Gazeta thotë se planet do të imitonin një politikë laburiste të fillimit të viteve 2000, në të cilën kërkuesve të azilit nga të ashtuquajturat vendet e “listës së bardhë” do t’u trajtoheshin kërkesat në më pak se 10 ditë.

Emigrantët që mbërrijnë me varka të vogla nga ndonjë prej vendeve që konsiderohen të sigurta, thuhet se do të ndalohen në vendin e përpunimit të Manston në Kent, ose në qendra të tjera pritjeje.

Një zëdhënës i Zyrës së Brendshme tha në një deklaratë: “Ne kemi qenë të qartë se do të vazhdojmë të përdorim çdo mjet në dispozicionin tonë për të penguar migrimin e paligjshëm, duke përfshirë kthimin e atyre që nuk kanë të drejtë të jenë në Mbretërinë e Bashkuar, për në shtetet nga vijnë.

“Ne i kthejmë njerëzit që vijnë në Mbretërinë e Bashkuar ilegalisht përmes një përzierjeje të marrëveshjeve zyrtare dhe informacionit me një numër vendesh dhe jemi gjithmonë në kërkim të mënyrave për të përshpejtuar largimet dhe për të përmirësuar proceset tona të kthimit me vendet e tjera.”

The Times raporton se lista do të përfshijë Shqipërinë. Shqiptarët përbënin pak më shumë se një të tretën e njerëzve të zbuluar duke kaluar Kanalin Anglez me varka të vogla në nëntë muajt e parë të vitit.

Ata përbënin gjithashtu gati gjysmën e atyre të zbuluar në korrik-shtator.

Shifrat, të cilat janë publikuar nga Zyra e Brendshme, tregojnë se ka pasur 33,029 mbërritje me varka të vogla në Mbretëria e Bashkuar nga janari deri në shtator të këtij viti.

Nga ky total, 11,241 (35%) ishin shtetas shqiptarë. Pothuajse të gjithë këta kanë ardhur që nga maji.

“Ne e vlerësojmë komunitetin tonë shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar dhe vazhdojmë të mirëpresim shqiptarët që vijnë në Mbretërinë e Bashkuar ligjërisht dhe kontribuojnë në shoqërinë britanike,” tha një zëdhënës i Home Office.

“Megjithatë, këtë vit po shohim një numër të madh shqiptarësh që rrezikojnë jetën e tyre dhe bëjnë udhëtime të rrezikshme dhe të panevojshme drejt Britanisë së Madhe përmes mënyrave të paligjshme, dhe kjo po ngarkon më tej sistemin tonë të azilit.

“Me bashkëpunimin e Qeverisë së Shqipërisë, ne po shfrytëzojmë çdo mundësi për të përgjuar punën e bandave të organizuara kriminale dhe kontrabandistëve të njerëzve dhe për të përshpejtuar largimin e shqiptarëve pa të drejtë që nuk kanë të drejtë qëndrimi në Mbretërinë e Bashkuar.”

By kristal