Turizmi është një biznes fitimprurës në Shqipëri. Por babëzia ka arritur kulmin dhe shumë persona hiqen si ‘pronarë’ të bregdetit.

Gjatë ditëve të fundit në rrjetet sociale ka qarkulluar një video ku një i ri 30-vjeçar, i quajtur Fatjon Shehu sipas verifikimeve të bëra, kërcënon me jetë një pushues i cili ka vendosur një karrige dhe po merr rreze disa metra para vendit ku ai kishte çadrat.

“Çohu ik nga këtu se të q* rracën, të marr me shpulla”, i thotë ai qytetarit, dhe në një moment përpiqet t’i marrë dhe celularin qytetarit që po përpiqej të filmonte situatën e pakëndshme, me të cilën po përballej.

Policia e ka marrë në pyetje Fatjon Shehun nga Kavaja, për të dhënë sqarimet në lidhje me ngjarjen në fjalë, e cila ka ndodhur disa ditë më parë. Siç ka konstatuar policia, përveç kërcënimit verbal dhe të sharave, i “forti” i Golemit nuk ka ushtruar dhunë fizike ndaj pushuesit që ishte në qejfin e tij. Materialet i janë referuar prokurorisë dhe “i forti” i Golemit është proceduar për prishje të rendit dhe qetësisë publike duke u ndjekur në gjendje të lirë.

Raste të tilla duhen ndjekur me përgjegjësi nga organet e rendit pasi personazhe si Mihal Kokëdhima, të rinjtë që ngritën pushuesit suedezë nga plazhi i Palasës, rasti në Saradë ku pronari përzuri një çift nordikësh, Fatjoni i Golemit dhe dhjetëra të tjerë e kanë ‘menderosur’ turizmin shqiptar.

By kristal