Zyrtarët e Kievit dhe të Moskës do të ulen për të biseduar në përpjekje për të ulur tensionet që rrezikojnë ta shndërrojnë luftën në Ukrainë në konflikt bërthamor global. Delegacionet nga dy vendet do të takohen në Hënën në kufirin mes Ukrainës dhe Bjellorusisë, pranë lumit Pripjat.

Dakordësia u arrit gjatë një bisede telefonike që presidenti ukrainas Volodimir Zelenski zhvilloi me homologun bjellorus Aleksandër Lukashenko. Zelenski tha se Lukashenko e kishte siguruar se Bjellorusia nuk do t’i bashkohej me trupa Rusisë e as do të lejonte hedhjen e të tjera raketave ruse drejt Ukrainës, nga territori i vendit të tij. Megjithatë kreu i shtetit ukrainas u shpreh se nuk priste shumë nga ky takim edhe pse tha se kishte pranuar, për t’i dhënë një tjetër mundësi zgjidhjes diplomatike. Fillimisht u njoftua për një takim në Gomel, qytetin e dytë më të madh të Bjellorusisë.

Më herët, Zelenski refuzoi ofertën e Moskës për bisedime në Minsk, me argumentimin se Bjellorusia nuk ishte më vend neutral dhe se territori i këtij vendi ishte shfrytëzuar nga rusët për të sulmuar Ukrainën. Por Moska i vendosi ultimatum, sipas të cilit nëse Zelenski nuk binte dakord deri në orën 13:00 të së Dielës sipas orës lokale për bisedime, situata do të hynte në një rrugë pa kthim.

By kristal