Privilegj të vlerësoj me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”, një nga legjendat e sportit tonë, Abdurrahman Roza Haxhiun, ose Roza Haxhiun, siç e njohin të gjithë lushnjarët dhe shqiptarët, një nga futbollistët tanë të mëdhenj dhe të paharruar, i vlerësuar në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare për kontributin dhe rezultatet e shkëlqyera të arritura në pak kohë. Aq më tepër është kënaqësi, që ky vlerësim bëhet në këtë vit historik të 100-vjetorit të Kongresit të Lushnjës, ku familja Haxhiu, ka pasur një kontribut të veçantë.

 

Roza Haxhiu, ishte një futbollist i shquar, i viteve 50-60’, talent i rrallë, golashënues i klasit të parë me Ekipin Kombëtar, me Lushnjën, Dinamon, Besën dhe sidomos me Partizanin ku u shpall disa herë kampion kombëtar, fitues i Kupës, si edhe mori medalje të argjendë në turneun e Laipcigut.Nëse sporti ka martirët e tij, Roza Haxhiu, është një nga ata luftëtarë, që me të vërtetë ra në fushën e blertë të stadiumit, i aksidentuar nga një goditje vdekjeprurëse në kokë e cila i mori edhe jetën, që ai aq bukur dinte ta jetonte.

By kristal