Përballë një grupi pensionistësh, Kryeministri Edi Rama prezantoi këtë të hënë paketën e rezistencës sociale, që përfshin ndër të tjera indeksimin e pensioneve dhe kompensimin e çmimeve te rritura te shportës ushqimore.

 

“Pensionistë të vetmuar, pensionistë që marrin më pak se gjysma e pagës mbi 400 mijë pensionistë, që do të mbështeten së bashku me gjithë personat me aftësi të kufizuar dhe familjet në nevojë. Sa është rritur shporta, 25 mijë Lekë plus konsumi i shportës atëherë do të kenë 30 mijë Lekë në muaj për 3 muaj rresht”.

 

Rama përsëriti se taksat e naftës nuk do të hiqen përderisa qeveria po rrit buxhetin për të përballuar krizën e energjisë elektrike.

 

“Kur vjen fatura në shtëpi vjen njëlloj si përpara kur nuk kishte krize për 760 mijë familje dhe 50 mijë biznese të vogla. Këtë nuk po e bën deri tani asnjë qeveri tjetër as në rajon, as në Europë. Të gjithë kanë rritur çmimin e energjisë dhe të ngrohjes. 100% është rritur çmimi në Turqi”.

 

Protestën e qytetarëve që po zhvillohet prej 5 ditësh, e konsideroi një turp për vendin dhe të pajustifikueshme.

 

“Ne i kemi dëgjuar protestat për respekt, dhe i kemi respektuar si institucion që sjell vlerë të shtuar për qeverisjen. Po kjo është një turp i pashoq i atyre që e nxisin, ata që vijnë me 2 gishta, po turp edhe për ata që e mbështesin sepse kjo është një protestë që e shëmton Shqipërinë, që e turpëron shqiptarin. Si mund të jemi ne i vetmi vend që dalim dhe luftojmë për pasojat e luftës?! Këtu bëhet një protestë që mund t’i pëlqejë Rusisë”.

 

Serbinë, që ka bllokuar prej 10 Marsit eksportin e miellit dhe të drithit, e sfidoi duke i kërkuar të japë prova në këtë situatë për pjesëmarrjen në Ballkanin e Hapur.

 

Rama shtoi se paga minimale do të rritet prej muajit Prill në 32 mijë Lekë nga 30 mijë Lekë që është aktualisht, duke e afruar hyrjen në fuqi të këtij vendimi me 2 muaj.

 

 

By kristal