Dhuna mes adoleshentëve mund të marrë kthesa të papritura e pasoja të rënda, e nxitur nga një ngjarje edhe fare banale.
“Sjelljet e dhunshme janë bërë fatkeqësisht modele të suksesshme, mbase jo të gjitha, por një pjesë e madhe e tyre, po. Një nga faktorët që i çon adoleshentët drejt akteve të dhunës është mungesa e një familjeje funksionale, mungesa e prindërve. Dhe këtu nuk e kam fjalën tek mungesa e prindërve në kuptimin e parë që na vjen në mendje, por tek mungesa e kohës fizike, që prindërit shpenzojnë për të qëndruar pranë fëmijëve të tyre, për t’i edukuar. Një arsye tjetër është stili autoritar që fatkeqësisht ndonjëherë përdoret ende edhe në sistemin arsimor, por edhe në familje, edhe në shoqëri. Në të kundërt të kësaj, sjellja tjetër mund të jetë një shkaktar, të qenit tej mase tolerant, të qenit pa rregulla. Fatkeqësisht duke qenë se modelet e dhunës janë kaq shumë prezente, adoleshentët shprehen se në situata të caktuara ndihen të detyruar të përdorin dhunën, që të mos ndihen ata të dobëtit e grupit, apo të mos jenë ata që përjashtohen nga ky grup shoqëror.
Në rrjetet sociale një individ që është i fortë, që bullon, që ofendon, apo edhe kërcënon për të ruajtur territorin e tij, fatkeqësisht janë modele që ne i hasim shpesh në rrjetet sociale dhe jo vetëm. Një pjesë e mediave kohë pas kohe i marrin ca fenomene të bullizimit verbal si shkathtësia sociale.
Për t’i mbajtur adoleshentët larg dhunës, duhet që secili nga aktorët të luajë rolin e tij. Por i mëshoj shumë faktit që edukimi fillon që në moshë të vogël, që ai të zhvillojë empatinë, të fillojë dhe të kuptojë çfarë do të thotë të jesh në vendin e tjetrit, sa e dhimbshme është ta lëndosh dikë”- shpjegon psikologia Graciela Mana.