Policia ka arrestuar në flagrancë 22-vjeçarin Igli Madani i cili u mori jetën 4 anëtarëve të familjes Gushi nga Patosi pas përplasjes fatale në aksin rrugor Fier-Vlorë.

Në njoftimin  zyrtar të policisë thuhet se i riu duke drejtuar automjetin tip “Audi”, në aksin rrugor Fier-Vlorë, ka humbur kontrollin dhe ka goditur nga mbrapa automjetin tip “Toyota”, duke u marrë jetën 4 anëtarëve të familjes Gushi. Ndërsa po ashtu u plagosën dhe të rinjtë në makinën Audi, përveç Madanit,  Fabio Lamaj dhe Glori Selimi.

“•Igli Madani, 22 vjeç, banues në Tiranë, pasi duke drejtuar automjetin tip “Audi”, në aksin rrugor Fier-Vlorë, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe ka goditur nga mbrapa automjetin tip “Toyota” me drejtues shtetasin E. G., 44 vjeç dhe si pasojë ndërruan jetë 4 shtetasit që udhëtonin me mjetin mjetin “Toyota”. Gjithashtu, si pasojë ka mbetur i dëmtuar vetë drejtuesi i mjetit “Audi” dhe dy pasagjerët, të cilët ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Materialet në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.”, njofton policia.

Si ndodhi aksidenti?

Eduard Gushi, emigrant prej 2 vitesh në Greqi, u kthye në shtëpi bashkë me familjen e tij, bashkëshorten Silvanën dhe dy vajzat 14 dhe 9 vjeç, Anastasia dhe Eva.

Pas hapjes së kufirit mes Shqipërisë dhe Greqisë, ata erdhën për të pushuar disa ditë në Vlorë, por ky fatkeqësisht ishte udhëtimi i fundit.

Makina e tyre, Toyota me targa greke është goditur me forcë të jashtëzakonshme nga një Audi me targa shqiptare, ndërsa udhëtonte në autostradën Fier-Vlorë, pranë kripores. Nga goditja mjeti ka dalë nga rruga i shkatërruar tërësisht.

Dëshmitarët, policia e më pas ekipet e emergjencës e patën të vështirë të nxirrnin me radhë, të pajetë, të gjithë pjesëtarët e familjes Gushi. Në banesën e tyre në fshatin Dukas në Patos nuk banon askush.

By kristal