Dy persona janë arrestuar në Durrës, pasi janë kapur në flagrancë me 77 pako me lëndë narkotike marijuanë në formë çokollate, me peshë 30.640 kg.

Në kuadër të operacionit të koduar “Kritikal”, kanë rënë në pranga shtetasit me iniciale, E.B., 42 vjeç, banues në Tiranë dhe bashkëpunëtori i tij, F.C., 41 vjeç, banues në Tiranë.

Policia thotë se ka ndaluar në vendin e quajtur “Mbikalimi i Plepave”, mjetin tip “Porsche”, me drejtues shtetasin E. B.

Gjatë kontrollit në bagazhin e këtij mjeti, u konstatuan 77 pako me lëndë narkotike të dyshuar marijuanë në formë çokollate, me peshë 30.640 kg.

Gjithashtu, në momentin e kapjes në flagrancë të këtij të fundit, policia ka ndjekur dhe ka ndaluar mjetin tip “Audi”, me drejtues shtetasin F. C., i cili gjatë hetimeve ka rezultuar se ka bashkëpunuar me shtetasin E. B., duke e informuar atë për prezencën e shërbimeve të policisë në rrugë.

Nga hetimet, ka rezultuar se sasia e lëndës narkotike të kapur, nuk është prodhuar në Shqipëri, por është trafikuar nga një vend tjetër.

Po ashtu, të ndaluarve iu sekuestruan edhe 3.600 euro, dy automjete dhe gjashtë aparate celularë.

Nën drejtimin e prokurorisë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

By kristal