Mëngjesin e sotëm, Ukraina u zgjua nga sulmet e Rusisë teksa lufta nisi zyrtarisht, me dhjetëra të vdekur e të plagosur.

Tensionet në vend janë të paimagjinueshme, teksa qytetarët e Ukrainës kanë braktisur shtëpitë e tyre dhe po lënë vendin, për të shpëtuar gjallë nga kjo luftë. Vladimir Putin ka kërkuar që në këtë luftë të mos ndërhyjë askush, duke kërcënuar se do ta pësonte keq. Pamjet e trishta të luftës po bëjnë xhiron e rrjetit, teksa i prekur ka reaguar edhe publiku shqiptar

Por, si ndikon lufta Rusi-Ukrainë në vendin tonë?

Pasojat e para nisën të shihen në turizmin shqiptar. Menjëherë pas tensioneve, nisën anulimet e fluturimeve nga turistët që priteshin të vizitonin Shqipërinë. Shqipëria parashikojej të ishte sërish një destinacion i rëndësishëm për turistët nga Rusia dhe Ukraina në vitin 2022, ashtu siç kanë bërë edhe vitet e kaluara.

Sipas të dhënave nga TIA, vitin e shkuar, në korrik- gusht fluturuan drejt Rinasit dhe anasjelltas, 38.5 mijë pasagjerë nga Ukraina, ose 65% më shumë se e njëjta periudhë e para pandemisë. Turistët nga Ukraina zunë 22% të lëvizjeve me charter dhe ishin grupi i dytë më i madh pas polakëve.

Besnik Vathi, drejtues i agjencisë turistike ATHS, sipas eksperiencës së gjatë në treg, ka treguar për “Monitor” se kjo luftë mendohet të ketë pasoja katastrofike, në të gjithë tregjet turistike që ukrainasit përbëjnë pjesën maxhoritare.

Rrahman Kasa, nga Unioni Turistik Shqiptar, thotë se, për shkak të përshkallëzimit të konfliktit Rusi-Ukrainë, efekti negativ nuk qëndron vetëm te anulimi i prenotimit , por te skema si funksionojnë prenotimet.

“Partnerët ndërkombëtarët kanë disa kontrata garancie që kanë paguar 20- 40 % të ofertës turistike si parapagim, ky mendoj se është problemi kryesor. Ata janë të shqetësuar për paratë e tyre dhe për vijim e marrëdhënieve me klientët e tyre dhe gjithashtu, marrëdhëniet e partneritetit mes strukturave akomoduese, agjencive partnere etj. Pra prenotimet anullohën atje dhe mund të ketë efekt zinxhir, pasi mund të kërkojnë paratë mbrapsht dhe strukturat turistike në vend do të gjendeshin në vështirësi. Në situata krizash ka ndodhur, e ka treguar rasti i Tërmetit apo edhe situata pandemike”- përfundon z. Kasa.

Lufta Rusi-Ukrainë ndikoi menjëherë edhe në rritjen e çmimit të naftës!

Pas sulmit, treguesi referencë i naftës europiane Brent shkoi mbi 105 dollarë për fuçi për herë të parë që nga viti 2014.

Sipas “Monitor”, aktorët e tregut janë shprehur se Shqipëria në bazë të ligjit, ka rezerva për tre muaj. Nëse situata përshkallëzohet atëherë çmimet e naftës do të vijojnë rritjen dhe e gjithë vëmendja do të jetë se çfarë drejtimi do të marrë konflikti.

Aktualisht në tregun vendas, nafta është në nivele rekord prej 192-194 lekë. Rishikimi i fundit është bërë kur nafta në bursa tregtohet me rreth 90 dollarë për fuçi. Importuesit pohojnë se nëse tendenca rritëse vazhdon në bursa, shtrenjtimi i mëtejshëm i karburanteve në vend është i pashmangshëm.

 

By kristal