Ukraina u zgjua nga sulmet raketore këtë të enjte pasi presidenti rus Vladimir Putin njoftoi se kishte urdhëruar një “operacion special ushtarak”, duke dërguar tanke nga kufiri verior me Bjellorusinë në një ofensivë të kombinuar ruso-bjelloruse. Sulmet me raketa përfshinë kryeqytetin Kiev dhe disa qytete të tjera.
Në raportimet e para, kur janë bërë 5 orë nga nisja e sulmeve thuhet se qindra ukrainas u vranë në sulm, sipas medias ndërkombëtare Daily Mail, e cila citon Ministrinë e Brendshme në Kiev. Pamjet e shpërndara me shpejtësi, tregojnë pallate të shkatërruara dhe raketa që bien gjithandej
Pesë avionë bombardues rusë dhe një helikopter u rrëzuan në lindje të vendit, afër Kharkiv, tha ushtria e Ukrainës.
Në njoftimin e tij të enjten herët në mëngjes, presidenti Putin këmbënguli se Rusia po sulmonte vetëm instalimet ushtarake dhe po shmangte zonat e populluara. Por zyrtarët e Ukrainës thanë se tashmë kishte viktima të shumta.
Forcat kufitare të Ukrainës thanë se postet e tyre në veri janë sulmuar si nga forcat ruse ashtu edhe nga Bjellorusia – një zhvillim jashtëzakonisht domethënës, që do të thotë se Rusia nuk po vepron e vetme dhe po sulmon nga të gjitha anët.