Juria e gjyqit në Chester kundër Benjamin Mendy, lojtar i Manchester City i akuzuar për tetë përdhunime, një sulm seksual dhe një tentativë përdhunimi, që dyshohen se kanë ndodhur midis viteve 2018 dhe 2021, dëgjoi deklaratën në polici të një prej femrave denoncuese.

19-vjeçarja rrëfeu në lot para hetuesve se si e përdhunoi Mendy, pasi shkoi në shtrat e vetme në rezidencën e futbollistit në Cheshire, ku kishte dhoma paniku, ku mbyllte “viktimat” e tij. Vajza shpjegoi se po festonte me Benjamin Mendy dhe miqtë e tij.

Ata vendosën ta mbyllnin mbrëmjen në rezidencën e francezit, derisa ajo vendosi të tërhiqej në një nga dhomat e shtëpisë së futbollistit për të pushuar. Ankuesja tregon se ajo vendosi të flinte për pak me të brendshme në një krevat dopio në katin e fundit, derisa u zgjua me futbollistin sipër:

“Gjithçka që mbaj mend është zgjimi me Mendy mbi mua. Ishte e tmerrshme… Unë isha në anën time të shtratit dhe ai ishte sipër meje. Mbaj mend që i thashë se nuk doja të bëja asgjë, sepse isha me periodat.

E pranoj se rreth orës pesë të mëngjesit shkova në shtrat e dehur, pasi kisha pirë shampanjë, tekila dhe verë. Ai nuk tha asnjë fjalë, por më dha një peshqir për ta vënë nën mua…”

Ankuesja shpjegoi se pasi doli nga rezidenca e Mendy mori vesh se një tjetër shoqe e saj ishte përdhunuar nga futbollisti dhe se dy ose tre muaj më parë ajo kishte kryer marrëdhënie seksuale me Mendy, por se në atë rast ajo ishte esëll dhe ishin konsensualë në veprime.

Dënimi me të cilin mund të përballet Benjamin Mendy mund të variojë nga 5 deri në 20 vite burg, teksa nuk përjashtohet teorikisht as burgimi i përjetshëm.

By kristal