Eksperti i lartë amerikan i sëmundjeve infektive Dr. Anthony Fauci tha të premten se besimi i shprehur nga ish-drejtori i Qendrave të Kontrollit të Sëmundjeve (CDC) të Shteteve të Bashkuara se virusi që shkakton COVID-19 e ka origjinën tek një laborator, është thjesht mendimi i tij dhe se shumica e ekspertëve të kujdesit shëndetësor publik nuk janë dakord me këtë tezë.
Dr. Fauci, i cili foli gjatë një konference të rregullt shtypi të Ekipit të Përgjigjes ndaj COVID-19 në Shtëpinë e Bardhë, po u referohej komenteve të ish-drejtorit të CDC-së Robert Redfield i cili ishte emëruar nga ish-presidenti, Donald Trump.
Në një intervistë për një dokumentar në televizionin CNN, zoti Redfield tha se ai besonte se virusi u krijua në një laborator dhe doli që andej, jo domosdoshmërisht me qëllim. Ai tha se ky ishte mendimi i tij që ai mund ta shprehte tani që është qytetar privat.