Gjykata Kushtetuese vendos të mos shkarkojë Presidentin e Republikës, Ilir Meta.

Brenda afateve të përcaktuara, Gjykata Kushtetuese ka publikuar sot vendimin i cili shfuqizon votimin e Kuvendit për shkarkiminin e kreut të shtetit.

‘Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.’ -thuhet në vendim.

Njoftimi i plotë:

 

 

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë mori në shqyrtim në seancat plenare publike të datave 01.02.2022, 03.02.2022 dhe 07.02.2022 vendimin nr. 55/2021, datë 09.06.2021 të Kuvendit të Shqipërisë “Për shkarkimin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë për shkelje të rënda të Kushtetutës”.

Në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështjeje, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se:
Ajo ka juridiksion për shqyrtimin e kësaj çështjeje, në përputhje me parashikimet e neneve 90 dhe 131, pika 1, shkronja “dh” të Kushtetutës dhe brenda kufijve të shqyrtimit të saj hyjnë si verifikimi i procedurave të ndjekura nga Kuvendi, ashtu edhe përcaktimi i shkeljes së rëndë, si dhe provueshmëria e fakteve përkatëse.
Kuvendi ka legjitimitet për të qenë palë në këtë proces. Legjislatura X e Kuvendit, bazuar në parimin e vazhdimësisë institucionale, ka legjitimitet për të përfaqësuar Legjislaturën IX të tij.
Po ashtu, Legjislatura IX e Kuvendit, ka pasur legjitimitet substancial, në vlerësim të momentit të konstituimit të Kuvendit, zëvendësimit të deputetëve, numrit të përgjithshëm të deputetëve, mungesës së vendimeve të organeve kompetente për të deklaruar parregullsinë apo pavlefshmërinë e zëvendësimit të mandateve dhe mundësisë së kësaj Legjislature për të arritur kuorumet e nevojshme, si dhe tërësisë së ligjeve dhe vendimeve të miratuara.
Gjykata Kushtetuese, pasi verifikoi procedurën e ndjekur nga Kuvendi për ngritjen e komisionit hetimor, garantimin e së drejtës së Presidentit për t`u dëgjuar dhe për t`u mbrojtur dhe duke mbajtur në konsideratë pavarësinë organizative të Kuvendit, në tërësi konstatoi se nuk ka pasur shkelje kushtetuese gjatë kësaj procedure.

By kristal