Në Kosovë sot (14 nëntor) qytetarët votojnë për të zgjedhur kryetarët e 21 komunave, përfshirë edhe atë të kryeqytetit, Prishtinës.

Sipas të dhënave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, deri në orën 11:00 kanë votuar mbi 7 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.

Më herët zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë (KQZ), Valmir Elezi, ka thënë të dielën se në orën 07:00 janë hapur të gjitha vendvotimet për rundin e dytë të zgjedhjeve lokale, dhe do të mbyllen në ora 19:00.

Në konferencën e parë për media të KQZ-së, Elezi i ka ftuar qytetarët me të drejtë vote që ta shfrytëzojnë këtë të drejtë duke dalë për të votuar.

Sipas KQZ-së, të drejtë vote në këtë rund zgjedhjesh kanë 1,260,571 qytetarë dhe ata do të mund të votojnë në 575 qendra votimi me 1,638 vendvotime.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar përmes postës 1,571 pako të supozuara me fletëvotime nga votuesit që jetojnë jashtë Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë pas votimit se zgjedhjet komunale janë të rëndësishme, pasi “komuna është shumë e rëndësishme – në njërën anë është publikja e lagjes dhe në anën tjetër është qeliza e Republikës”.

Ai i ka ftuar qytetarët me të drejtë vote që ta përdorin këtë rast dhe të përcaktohen për veten e tyre përmes udhëheqësve, të cilët do të zgjedhin.

Ndërkohë, koalicioni i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim, që po monitoron rundin e dytë të zgjedhjeve lokale të 14 nëntorit në Kosovë, thotë se 97 për qind e qendrave të votimit janë dezinfektuar para hapjes, ndërsa udhëzimet se si të votohet sigurt duke respektuar masat kundër COVID-19 janë vendosur në 93 për qind të qendrave.

Në kohë pandemie Kosova ka mbajtur zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, ato lokale më 17 tetor dhe rundin e dytë të zgjedhjeve lokale që po zhvillohen të dielën më 14 nëntor.

Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve për respektim të masave mbrojtëse, si mbajtja e maskave mbrojtëse dhe mbajtja e distancës fizike.

Në njoftimin e mëngjesit të kësaj organizate, ndërkaq, thuhet se “ashtu sikur në rundin e parë të zgjedhjeve të 17 tetorit, edhe në balotazh rreth ¼ e qendrave të votimit janë të paqasshme për personat me nevoja të veçanta.
Votojnë kandidatët për Prishtinën

Paraditen e së dielës të dy kandidatët në garën për Prishtinën, Arben Vitia nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë votuar rreth orës 9:00, shkruan REL.

Kandidati i LVV-së, Vitia, duke ftuar qytetarët me të drejtë vote që ta shfrytëzojnë këtë të drejtë, ka thënë se dita e zgjedhjeve është “një ditë thelbësore për demokracinë dhe shtetin – sot vendoset fati i kryeqytetit – ndaj është shumë e rëndësishme që të gjithë të marrin pjesë në procesin e votimit”.

Edhe kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Rama, ka ftuar të gjithë qytetarët me të drejtë vote që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar, pasi siç ka thënë ai, “kohëra të mira për të gjithë qytetarët e Prishtinës po vijnë”.

Përveç Prishtinës, qytetarët do të zgjedhin krerët e rinj të komunave në Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Obiliq, Rahovec, Podujevë, Prizren, Shtime, Viti, Vushtrri, Malishevë, Junik, Mamushë dhe në Kllokot.

By kristal