Që sekretet e bukurisë nuk u shpikën në ditët e sotme, e kemi thënë me kohë, ashtu sikurse zbuluam truket e gjashtë prej ikonave hollivudiane, të cilat na befasuan jo pak me zgjedhjet e bëra. Monroe vazhdon të mbetet dhe sot si simboli i feminitetit dhe seksualitetit, e kjo vinte si paketë me tiparet e saj tërheqëse, kombinuar me format marramendëse trupore. Lozonjare e provokuese në të njëjtën kohë, Monroe spikaste për buzët e plota, po aq sa për sytë që të rrëmbenin mendjen me vetëm një shikim. Për një rezultat të tillë, kontributin më të madh e ka patur natyra, që i ka trashëguar aktores këtë tipar. Nga ana tjetër, duke marrë parasysh që po flasim për imazhin të cilin do ta shihnin miliona spektatorë, nuk kishte si të mungonte as një ndërhyrje e vogël nga jashtë, siç është grimi. Çfarë i bënte sytë e Monroe të shkëlqenin aq shumë? Artistja aplikonte pak vazelinë mbi kapakë, e pikërisht aty fillonte puna e shpërndarjes së pluhurit ngjyrues të syve. Kjo tendencë është parë dhe sot, duke filluar nga video muzikore e Rihanna-s “FourFiveSeconds”, e deri tek pasarelat e koleksionit të pranverës për 2017. Shkëlqimi i syve vjen si një opsion nga i cili artistët e grimit nuk kanë mundur të heqin dot dorë kurrë, e nëse dëshironi ta provoni diçka të tillë, ne ju paraqesim katër produkte që do t’ju ndihmojnë të keni një pamje sa më vezulluese: